Ndërlidhjet

Emërohen 19 gjykatës ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës


Shefja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, ka emëruar të martën, nëntëmbëdhjetë gjykatës ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të Gjykatës Speciale.

Në një kumtesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, thuhet se në kuadër të emërimeve janë përfshirë edhe ai I nënkryetarit të Dhomave dhe katër gjykatësve të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykatësit e emëruar do të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetarit, për ushtrimin e detyrave që diktojnë praninë e tyre”, thuhet në kumtesë.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, dr. Ekaterina Trendafilova, citoihet të ketë deklaruar se beson në ‘kontributin e secilit gjykatës të emëruar në realizimin e mandatit të administrimit të drejtësisë në mënyrë të drejtë dhe efikase’.

“Hapi i ardhshëm është seanca e parë plenare të cilën unë do ta thërras së shpejti, dhe gjatë së cilës do të miratohet Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Dhomave të Specializuara që rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore para Dhomave të Specializuara”, citohet Trendafilova në një kumtesë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas kumtesës nënkryetar I Dhomave të Specializuara është emëruar Keith Raynor nga Britania e Madhe, ndërkohë që gjykatësit e emëruar ndërkombëtarë vijnë kryesisht nga Gjermania,Franca, Kanadaja, SHBA-ja, Holanda, Irlanda, Italia e Belgjika. (REL)

XS
SM
MD
LG