Ndërlidhjet

Turqi: Përjashtohen edhe 4400 njerëz nga puna, përfshirë qindra akademikë 


Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan

Autoritetet turke kanë përjashtuar nga puna edhe 4400 nëpunësit civilë, përfshirë mësuesë, oficerë policor dhe akademikë për shkak të dyshimeve se kanë lidhje me organizata terroriste, sipas një dekreti të publikuar mbrëmë, raporton Reuters.

Ibrahim Kaboglu, një profesor i njohur i të drejtës kushtetuese, i cili i ka kundërshtuar ndryshimet në Kushtetutën turke që do t’i japin presidentit, Rexhep Tajip Erdogan fuqi më të mëdha ekzekutive, është në mesin e atyre që janë përjashtuar nga puna, sipas dekretit që është publikuar edhe në gazetën zyrtare.

Ky është numri më i madh i përjashtimeve nga puna prejse mijëra punonjës u pezulluan nga puna javët e para pas puçit të dështuar të korrikut të vitit të kaluar. Për puçin e dështuar, autoritetet e kanë fajësuar klerikun turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, ndonëse ky i fundit i ka hedhur poshtë akuzat.

Pezullimet e reja nga puna kanë nxitur kritika sidomos në rrjete sociale. Ligjvënësi opozitar, Sezgin Tanrikulu ka shkruar në Twitter se universitetet e vjetra turke po shkatërrohen.

Deri më tash autoritetet kanë pezulluar nga puna mbi 125 mijë njerëz, ndërsa formalisht kanë arrestuar 40 mijë persona.

Qeveria ka thënë se masat e reja arsyetohen nga natyra e kërcënimit me të cilin përballet shteti.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se Erdogani po e shfrytëzon gjendjen emergjente për të shtypur paknaqësitë.

Në mesin e 330 akademikëve që janë pezulluar nga puna, janë edhe ata që vitin e kaluar e kanë nënshkruar një peticion që kanë kritikuar masat ushtarake që Turqia i ka ndërmarrë kundër militantëve kurdë në zonën juglindore.

Erdogan, atëkohë ka thënë se akademikët do të paguajnë çmim për “tradhëtinë” e tyre.

XS
SM
MD
LG