Ndërlidhjet

Avokatët përballen me pyetje të vështira nga gjykata për urdhrin e Trumpit


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Gjykatësit e apelit të SHBA-së kanë bërë pyetje të vështira rreth urdhrit të presidentit amerikan, Donald Trump për ndalimin e imigrimit gjatë seancës kur Departamenti i Drejtësisë ka prezantuar argumentet pse urdhri duhet të rikthehet në funksion.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë kanë kërkuar rikthimin e urdhrit ekzekutiv të 27 janarit, duke thënë se vetëm presidenti ka pushtetin për të vendosur se kush ka të drejtë të futet në SHBA.

“Kongresi qartazi e ka autorizuar presidentin për të pezulluar hyrjen e disa kategorive të të huajve”, ka thënë avokati, August Flentje dhe ka shtuar: “Kjo është ajo që e ka bërë presidenti”.

Por, disa shtete federale dhe qindra kompani e kanë përkrahur bllokimin e urdhrit nga një gjykatë më e ulët. Urdhri ndalonte të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë shtete me popullatë shumicë myslimane: Irani, Iraku, Siria, Somalia, Jemeni, Libia dhe Sudani.

Kundërshtarët thonë se urdhri është jo kushtetues dhe ka dëmtuar banorët dhe punonjësit e tyre.

Gjykatësit – dy të emëruar nga presidentë demokratë dhe një nga presidenti republikan George W. Bush– kanë bërë pyetje të vështira për avokatët e administratës së Trumpit.

Gjykatësi William Canby Jr. ka kërkuar të di nëse ekziston një rast kur një banor me vizë amerikane, nga këto shtatë vende, ka kryer ndonjë vepër të rëndë. Flentje e ka pranuar se nuk ka asnjë rast të tillë të regjistruar.

Gjykatësja Michelle T. Friedland, e cila është emëruar nga presidenti Barack Obama, ka pyetur nëse Qeveria ka arritur të bëjë ndonjë lidhje të ndonjë imigranti nga shtatë vendet e përmendura në urdhër ekzekutiv me terrorizmin?

Flentje ka thënë se disa somalezë në SHBA është zbuluar se kanë lidhje me grupin terrorist, Al Shabab. Ai gjithashtu e ka përmendur se Kongresi dhe administrata e Obamës në vitin 2015 kanë vlerësuar se vendet e përmendura në urdhër paraqesin rrezik të madh të terrorizmit sepse në territoret e tyre kanë prani të madhe të terrorizmit apo ato konsiderohen si vende të sigurta për terroristët.

Megjithatë, marrja në pyetje nga gjykatësit ka qenë aq intensive sa në një moment, Flentje thotë, “nuk jam i sigurt që po e bind këtë gjyq”.

Gjykatësit gjithashtu kanë bërë pyetje të vështira për avokatët e administratës së Trumpit për atë pse mendojnë që shtetet federale nuk kanë të drejtë të bëjnë padi në emër të banorëve apo universiteteve të tyre, të cilat janë ankuar dhe studentët e tyre kanë mbetur jashtë shtetit.

Por, gjykatësit gjithashtu kanë bërë pyetje që kanë shfaqur skepticizëm edhe ndaj avokatëve të dy shteteve amerikane, Uashington dhe Minnesota, të cilat e kanë nxitur pezullimin e përkohshëm të urdhrit të presidentit.

Gjykatësi Richard Clifton, i emëruar nga ish presidenti, George W. Bush, dëshironte të dinte se si urdhri mund të konsiderohej diskriminues nëse potencialisht ndikon vetëm tek 15 për qind e myslimanëve të tërë botës, sipas llogaritjeve të tij.

Në përgjigjen e tij, përfaqësuesi ligjor i shtetit të Uashingtonit, Noah Purcell, ka cituar deklarata të bëra gjatë fushatës nga Donald Trump për vendosjen e një ndalim udhëtimi të përkohshëm ndaj imigrantëve dhe vizitorëve myslimanë, megjithëse administrata e Trumpit insiston se ndalimi nuk ka cak myslimanët.

Gjykatësi Clifton nuk është ndarë i bindur nga përgjigja duke thënë, “Nuk mendoj që dyshimet janë të mjaftueshme në këtë fazë”.

Më 7 shkurt, Trump ka vazhduar të kritikoj jo pak kundërshtarë të urdhrit pse e kanë nxitur sfidën ligjore.

“Në fakt nuk mund të besoj që ne duhet të luftojmë për të mbrojtur sigurinë, në sistemin gjyqësor, për të mbrojtur sigurinë e kombit tonë”, ka thënë Trump duke sugjeruar se sulmet terroriste mund të ndodhin si rezultat i pezullimit gjyqësor të urdhrit të tij ekzekutiv.

Ndonëse beteja ligjore rreth ndalim-udhëtimit të Trumpit kryesisht ka të bëjë me atë se sa ka pushtet një president amerikan për të vendosur se kush ka të drejtë të hyjë në SHBA, Gjykata e Apelit tani po merret vetëm me pyetjen nëse duhet ta vazhdojë pezullimin e urdhrit nga gjykata së Siatëll të shtetit të Uashingtonit.

Apeli pritet të dal me vendim gjatë kësaj jave, por me gjasë çfarëdo vendimi të marrë, ai do të kundërshtohet duke e dërguar rastin në Gjykatën Supreme.

Megjithatë, Sekretari për Sigurinë Kombëtare, John Kelly, gjatë një seance para Kongresit e ka pranuar se për shkak të kaosit dhe hutisë së shkaktuar pas nënshkrimit të urdhrit, me gjasë ai është dashur të shtyhet se sa të vihej në funksion, në mënyrën se si e bëri këtë Shtëpia e Bardhë, qysh në javën e parë të punës së administratës së Trumpit.

Përgatiti: Artan Haraqija

XS
SM
MD
LG