Ndërlidhjet

Opozitari rus, Navalni shpallet fajtor, s'mund të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale


Opozitari rus, Aleksei Navalni shihet duke hyrë në gjykatën e Kirovit më 31 janar

Gjykata në qytetin rus, Kirov, e ka shpallur fajtor aktivistin opozitar, Aleksei Navalni, në një rast për keqpërdorim të mjeteve financiare.

Gjykatësi Aleksei Vtyurin ka thënë sot se Navalni e ka “organizuar kryerjen e një krimi”.

Dënimi i Navalnit e përjashton atë nga garat politike për poste publike, sipas ligjit në fuqi në Rusi.

I pandehuri tjetër, Pyotr Ofitserov gjithashtu është shpallur fajtor, për të njejtin rast.

Gjykata ka vendosur që Navalni të dënohet me pesë vjet me kusht dhe me gjobë prej 500 mijë rublash ruse apo pak më shumë se 7900 euro.

Sidoqoftë, Leonid Volkov, i cili është menaxher i fushatës së Navalnit për zgjedhjet presidenciale që në Rusi do të mbahen më 2018, ka thënë se verdikti i 8 shkurtit nuk do të ketë “ndikim”.

Të dy të dënuarit kanë thënë se do të ankohen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ata kanë thënë se janë të pafajshëm, ndërsa Navalni ka thënë se akuzat janë të motivuara politikisht me qëllim që t’ia pamundësojnë atij marrjen pjesë në zgjedhjet presidenciale.

Në vitin 2013, Navalni ishte shpallur fajtor për të njejtin rast, por Gjykata Supreme ruse e kishte anuluar verdiktin duke e detyruar gjykatën në Kirov që ta përsëris procesin.

XS
SM
MD
LG