Ndërlidhjet

Gjykata amerikane e apeleve e konfirmon bllokimin e ndalim-udhëtimit të Trumpit


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Një gjykatë e apeleve në San Francisko ka refuzuar përfundimisht të rikthejë në zbatim ndalim -udhëtimin ndaj të gjithë refugjatëve dhe vizitorëve të shtatë shteteve me popullatë kryesisht myslimane, duke i dhënë një goditje të rëndë administratës së re amerikane.

Në vendimin unanim, paneli prej tre gjyqtarëve nga qyteti perëndimor amerikan, e ka mbajtur në funksion vendimin e një gjykate federale e cila ditë më parë e ka pezulluar përkohësisht urdhrin ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

Tani ka gjasa që çështja të dërgohet te Gjykata Supreme. Trump ka reaguar shumë shpejtë pas vendimit duke shkruar në Twitter: “Shihemi në gjyq, siguria e kombit është në rrezik”.

Pak më vonë, presidenti amerikan ka thënë se vendimi i ri është “politik”.

Ndërkaq, Jay Inslee, guvernatori demokrat i shtetit të Uashingtonit, shteti federal që e ka sfiduar urdhrin e Trumpit në gjykatë, ka thënë: “Z. President, ne sapo ju pamë në gjyq, dhe ju mundëm”.

Gjykatësit e apeleve kanë thënë se Qeveria amerikane nuk ka paraqitur dëshmi për të sqaruar nevojën urgjente që urdhri ekzekutiv i Trumpit të nis së zbatuari menjëherë, dhe ata e kanë hedhur poshtë argumentin e Qeverisë se gjykatat nuk kanë autoritet që të rishikojnë politikat rreth imigracionit.

Gjykatësit kanë nënvizuar se shtetet amerikane që e kundërshtojnë ndalim-udhëtimin kanë shfaqur “dyshime serioze” rreth diskriminimit fetar dhe kanë paraqitur “pyetje të rëndësishme kushtetuese”, derisa administrata e Trumpit nuk ka shfaqur asnjë dëshmi që thotë se siguria publike është në rrezik.

Në mënyrë të veçantë, gjykatësit kanë thënë se administrata nuk ka ofruar asnjë dëshmi se dikush nga shtatë vendet e përmendura në urdhër, Irani, Iraku, Sudani, Somalia, Libi, Jemeni dhe Siria – kanë kryer një “sulm terrorist” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mbi të gjitha, gjyqi ka thënë se shtetet dhe kundërshtarët e tjerë të urdhrit ekzekutiv, kanë paraqitur dëshmi të “jo pak deklarimeve” të presidentit “rreth qëllimit të tij që të zbatojë ‘ndalimin e myslimanëve’”, megjithëse Shtëpia e Bardhë e ka thënë disa herë se urdhri nuk ka cak njerëzit për shkak të besimit të tyre islam.

“Në anën tjetër, publiku ka interes të fuqishëm në sigurinë kombëtare dhe mundësinë që një president i zgjedhur të nxis politika”, thotë më tej vendimi.

“Por, në anën tjetër, publiku gjithashtu ka interes në lirinë e lëvizjes gjatë udhëtimit, për të evituar ndarjen e familjeve dhe diskriminimin”.

Dy nga tre gjykatësit e apelit që e ka marrë këtë vendim janë emëruar në këtë gjykatë nga ish presidentët demokratë, Jimmy Carter dhe Barack Obama. I treti është emëruar në atë gjykatë nga ish presidenti republikan, George W. Bush.

Administrata e Trumpit ka kohë 14 ditë që ta kundërshtojë vendimin.

Përgatiti: Artan Haraqija

XS
SM
MD
LG