Ndërlidhjet

Kosova: Me presidentin Steinmeier, vendet e Ballkanit do të kenë një zë të fuqishëm në BE


Frank-Walter Steinmeier

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë uruar zgjedhjen e presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një postimi në facebook ka theksuar se roli i Gjermanisë është dëshmuar si vendimtar për stabilitetin në rajon, kurse mbështetja gjermane për Kosovën, ka ndikuar shumë edhe në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar.

"Miku i Kosovës, Frank-Walter Steinmeier, ka qenë mbështetës i vazhdueshëm edhe sa ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë, veçanërisht për dialogun me Serbinë, ndaj të cilit ne mbesim të angazhuar deri në normalizimin e plotë të marrëdhëniet tona si dy shtete të pavarura", ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se Gjermania ka qenë dhe mbetet ndër partnerët strategjikë të Kosovës, që ka kontribuuar shumë në rindërtimin e Kosovës.

"Me Presidentin Steinmeier vendet e Ballkanit do të kenë një zë të fuqishëm në BE për të nxitur politikat e zhvillimit, integrimin e rajonit tonë në BE dhe për të garantuar paqen në këtë pjesë të Evropës", ka shkruar Mustafa.

Ligjvënësit dhe përfaqësuesit e landeve të Gjermanisë e kanë zgjedhur të dielën, z. Frank-Walter Steinmeier, president të 12-të federal të Gjermanisë.

XS
SM
MD
LG