Ndërlidhjet

Kosova themelon Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti të hënën nismën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i cili, siç tha, do të mundësojë dialog të hapur brenda komuniteteve në Kosovë mbi bazën e pajtimit të shëndoshë.

Në takimin e parë konsultativ për themelimin e këtij Komisioni, në prani të zyrtarëve më të lartë shtetërorë, klerikëve fetarë, korit diplomatik, bartësve të institucioneve të drejtësisë dhe shoqërisë civile, Thaçi tha se nisma për një komision të tillë mund të jetë vonuar, porse Kosova është e para në Ballkan që bën diçka të tillë.

"Dhimbja e shkaktuar nga lufta ende rëndon në zemrat dhe mendjet e secilit kosovar. Ndasitë dhe frika që ka shkaktuar lufta ende janë gjallë. Armiqësitë që ka shkaktuar lufta, ende janë gjallë. Gjuha dhe fjalorët që kanë shkaktuar këto armiqësi, që kanë shkaktuar luftën, ende dominojnë diskursin tonë shoqëror. Shoqëria kosovare dhe Ballkani në tërësi ende është peng i këtyre narrativëve të vjetër".

"Është shumë e dhimbshme të shohësh që sot, edhe gjeneratat që kanë lindur pas lufte, e shikojnë palën tjetër, i shikojnë moshatarët e komunitetit tjetër si armiq dhe si rrezik, e jo si fqinj, si bashkëqytetarë", tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë nëse mbetet peng i së kaluarës.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, ka përgëzuar institucionet e Kosovës për hapat e ndërmarrë drejt rrugës së pajtimit. Ky komision ka thënë ai duhet të jetë i pavarur, transparent si dhe duhet të përfshijë qytetarët e të gjitha etnive.

“Individët që marrin pjesë në këtë komision dhe rrëfejnë përvojat e tyre, duhet t’u ofrohet mbrojtje nga qeveria dhe vet komisioni”, ka thënë Delawie.

Nisma e Thaçit është mbështetur nga kryeministri Isa Mustafa, kryekuvendari Kadri Veseli, si dhe përfaqësues të huaj që janë vënë në dispozicion të Komisionit.

XS
SM
MD
LG