Ndërlidhjet

Michael Flyn ka dhënë dorëheqje lidhur me bisedat me ambasadorin rus


Michael Flynn
Michael Flynn

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se këshilltari për siguri kombëtare, Michael Flynn, mbrëmë vonë ka dhënë dorëheqje për shkak të raporteve se ai i ka keqinformuar zyrtarët e lartë të presidentit, Donald Trump, lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak.

Largimi i zotit Flynn, më pak se një muaj pas inaugurimit të administratës Trump, shënon një lëkundje të hershme në ekipin e këshilltarëve të lartë presidencialë.

Michael Flynn ishte një mbështetës lojal i zotit Trump gjatë gjithë fushatës presidenciale vitin e kaluar, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim në mesin e zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës Trump.

Në këtë kuadër, zoti Flynn fillimisht i kishte thënë zëvendëspresidentit, Mike Pence, se ai nuk kishte diskutuar për sanksione me ambasadorin rus, Sergei Kislyak, gjatë disa bisedave telefonike, që i kishin zhvilluar gjatë muajit dhjetor, derisa presidenti i atëhershëm, Barack Obama, po e përgatiste rundin e ri të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të sulmeve kibernetike ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Në letrën me të cilën e paraqiti dorëheqjen, Flynn tha se zëvendëspresidentit Pence dhe të tjerëve, u kishte dhënë “informacion jokomplet” për bisedat telefonike.

Shtëpia e Bardhë e ka emëruar gjeneralin e pensionuar, Keith Kellogg, ushtrues të detyrës së këshilltarit për siguri kombëtare.

Ai është në mesin e tre kandidatëve, për të cilët Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti Trump i ka parasysh për t’i emëruar për shërbim të përhershëm në postin e zbrazët. Dy personat e tjerë janë ish-drejtori i agjencisë CIA, David Petraeus, dhe nënadmirali, Robert Harward.

Dorëheqja u bë në periudhën e raporteve se Shtëpia e Bardhë ndoshta ka ditur më tepër se zyrtarët, të cilët publikisht kishin pranuar se telefonatat kishin ndodhur.

Agjencitë AP dhe Reuters raportuan se Departamenti amerikan i drejtësisë i kishte tërhequr vërejtjen Shtëpisë së Bardhë se zoti Flynn mund të jetë në pozitë të pakëndshme për shkak të kundërthënieve ndërmjet përshkrimit publik të bisedave telefonike dhe të vërtetës që e dinë zyrtarët e agjencive të inteligjencës në bazë të incizimeve të telefonatave, që ishin bërë në kuadër të monitorimit rutinor të komunikimeve të zyrtarëve të jashtëm në Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar e përditshmja, Washington Post, ka raportuar se Michael Flynn ka diskutuar për sanksionet amerikane me të dërguarin rus.

Agjencia Associated Press raportoi se Flynn ishte shpeshherë në kontakt me Kislyakun më 29 dhjetor, pra në ditën e njejtë që president i atëhershëm, Barack Obama, e shpalli rundin më të ri të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të sulmeve kibernetike kundër zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Disa demokratë në Dhomën Përfaqësuese kanë kërkuar që kryesuesi i Komitetit të Mbikëqyrjes të filloj hetime për lidhjet e Flynnit me Rusinë. Lideri i demokratëve në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Charles Schummer, u tha gazetarëve se dëshiron një hetim të pavarur të diskutimeve të Flynnit me Kislyakun.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Eliot Engel, demokrat, anëtar i Komitetit të Jashtëm të kësaj dhome, tha pasi Flynn e paraqiti dorëheqjen, se ai “po vepronte drejtë duke u tërhequr, por megjithatë, shumë pyetje mbeten papërgjigje për lidhjet e kësaj administrate me Rusinë”.

Zoti Engel, mëtutje theksoi se duke e ditur se “Putin Kishte punuar në favor të presidentit Trump gjatë zgjedhjeve, “ne na duhet hetim gjithpërfshirës dy partiakë, për të pasur pamje komplete të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet tona dhe Kongresi duhet të ndërmarrë hapa…për t’i ndëshkuar ata që janë përgjegjës”.

Diskutimet e tilla telefonike mund të paraqesin shkelje të legjislacionit amerikan, i cili shtetasve privatë nuk u lejon udhëheqje të politikës së jashtme.

Përkundër kësaj, bisedat e vazhdueshme të Flynnit me ambasadorin e Rusisë, po ashtu, i kanë aktualizuar pyetjet lidhur me qëndrimin miqësor të zotit Trump ndaj Rusisë, në kohën kur agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara kishin konkluduar se Rusia kishte ndërmarrë sulme kibernetike dhe i kishte publikuar emailat e Partisë Demokratike, me synimin që Trumpi të ndihmohej për tu zgjedhur.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG