Ndërlidhjet

Gazetarët në Kosovë përballen me sulme, kërcënime e presione


Ilustrim
Ilustrim

Presioni dhe sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë janë evidente, është thënë sot në konferencën mbi sigurinë e gazetarëve të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Siguria e gazetarëve në Kosovë dhe kërcënimet që u bëhen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre mbeten tema aktuale, ka thënë shefi i misionit të OSBE-së, Jan Braathu.

OSBE ka numëruar 50 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, sidomos si përpjekje për të ushtruar presion te transmetuesi publik.

Misioni i OSBE-së ka kërkuar hetimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, duke kërkuar një rol aktiv jo vetëm të organeve të ndjekjes penale, por edhe nga vet gazetarët.

Në debat ka marrë pjesë me një fjalim edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se gazetaria në Kosovë ndoshta nuk është më e vjetra për nga tradita, por është ndër më të guximshmet në rajon.

“Gazetarët në Kosovë kanë qenë ndër të parët që janë angazhuar për pluralizëm, për demokraci, për barazi, për të drejta të njeriut dhe për liri të shprehjes. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, në Kosovë janë bërë përpjekje të mëdha që të instalohet një gazetari profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të publikut”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit vlerësoi se kanë qenë dy rrethana të rëndësishme që kanë rezultuar me gazetari të guximshme.

“E para, në Kosovë, gazetaria e lirë, e mirëfilltë, ka filluar në kohën e represionit dhe aparteidit. Ndër të parët që janë përballur me represionin dhe përpjekjen për të ndalur zërin që kërkonte drejtësi e barazi kanë qenë pikërisht gazetarët”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se në këto rrethana është farkëtuar guximi për t’u përballur me pushtetin, çfarëdo qoftë ai.

XS
SM
MD
LG