Ndërlidhjet

Në Mitrovicë nisin gërmimet për varrezë të dyshuar masive


Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në qytetin e Mitrovicës kanë filluar gërmimet në kërkim të varrezës masive.

Aktualisht, gërmimet janë në fazën fillestare, kështu që deri më tani, Gjetaj ka thënë se ende nuk ka ndonjë gjurmë konkrete për trupa të mundshëm në këtë vend.

Gërmimi vlerësues ka nisur në Mitrovicën e Veriut, në lokacionin e quajtur Xhamia e Ibrit, afër Urës së Ibrit.

Gjetaj tha se në vendin e ngjarjes ndodhen ekipi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ekspertë të EULEX-it, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale dhe përfaqësues të delegacionit të Beogradit në cilësinë e vëzhgueseve.

Ai ka thënë po ashtu se dyshimet për këtë lokacion për varrezë masive, kanë ekzistuar prej përfundimit të luftës, por “për shkak të lokacionit,kjo çështje është zvarritur për shkaqe sigurie dhe politike”.

Një numër i lokacioneve në Kosovë dhe brenda territorit të Serbisë, sipas autoriteteve të vendit, dyshohet të jenë vend varreza masive në të cilat, siç thuhet, “janë varrosur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë periudhës së luftës”.

XS
SM
MD
LG