Ndërlidhjet

Lavrov: Rusia dëshiron bashkëpunim ushtarak me NATO-n 


Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se “rregulli i pas Luftës së Ftohtë” ka përfunduar, por se të menduarit e asaj kohe vazhdon të mbizotrojë disa liderë në perëndim.

Në një paraqitje të shkurtër në konferencën e sigurisë në Mynih, Lavrov ka përsëritur akuzat e Rusisë se zgjerimi i NATO-s ka krijuar tensione në Evropë.

Por, ai ka bërë thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit ushtarak në mes të Rusisë dhe NATO-s, duke thënë se takimet politike janë të pakuptimta pa këtë bashkëpunim.

Ai ka thënë se Rusia dëshiron marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara që janë pragmatike dhe të karakterizuara me respektin të dyanshëm dhe pranim të ndarjes së përgjegjësisë për stabilitetin global.

Lavrov ka thënë se marrëdhëniet e përkeqësuara që ekzistojnë tani janë të panatyrshme dhe se të dy vendet kanë potencial të madh për bashkëpunim.

Kryediplomati rus ka folur pak orë pas fjalimit të nënpresidentit amerikan, Mike Pence i cili ka thënë se SHBA e mbanë Moskën përgjegjëse për ndërhyrjet në Ukrainë.

Administrata e presidentit të ri amerikan, megjithatë disa herë ka thënë se është e interesuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën.

Lavrov e ka hedhur poshtë akuzën e Kievit dhe perëndimit se Moska është fajtore për vazhdimin e luftës në Ukrainën lindore, duke e akuzuar Kievin se nuk i përmbahet marrëveshjes së arritur në vitin 2015 në Minsk të Bellorusisë.

Ai ka thënë se një çerek shekulli pas Luftës së Ftohtë, bota nuk është as e kontrolluar nga perëndimi e as më pak e rrezikshme, dhe se një botë unipolare, pra koha që SHBA dominon në tërësi, nuk mund të zgjas shumë.

XS
SM
MD
LG