Ndërlidhjet

Pence i premton BE-së vazhdimin e mbështetjes amerikane


Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, në Bruksel.
Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, në Bruksel.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se Bashkimi Evropian llogarit në marrjen e "mbështetjes së sigurt dhe të përzemërt" nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Ai i bëri këto komente pas bisedimeve me nënpresidentin e SHBA-së, Mike Pence, në Bruksel.

Tusk tha se BE "llogarit, sikurse gjithmonë, në mbështetjen e Uashingtonit për idenë e një Evrope të bashkuar".

Pence, nga ana e tij, tha se SHBA do të vazhdojë mbështetjen në përgjigje të, siç u shpreh, përpjekjeve të Rusisë "për të rishikuar kufijtë ndërkombëtarë me forcë".

"Qartazi, ne duhet të qëndrojmë të fortë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve në Evropë", tha Pence.

Ai shtoi se SHBA do të mbështesë përpjekjet e NATO-s për mbrojtjen e Polonisë dhe vendeve të Baltikut.

Sa i përket Ukrainës, Pence tha se "SHBA do të vazhdojë ta mbajë Rusinë përgjegjëse dhe të kërkojë nga Rusia që të respektojë marrëveshjen e Minskut për uljen e dhunës në lindje të Ukrainës".

Pence po ashtu ka mbajtur takime me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

XS
SM
MD
LG