Ndërlidhjet

Komisioni për matjen e territorit bën publik raportin


Komisioni i ekspertëve për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, të martën do të bëjë prezantimin e të gjeturave pas matjes së territorit të Kosovës.

Zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha punët profesionale kanë përfunduar dhe ka mbetur vetëm prezantimi.

"Pothuajse e gjithë puna analitike, prezantimet dhe diskutimet kanë përfunduar, jemi duke u marrë me punët teknike. Të martën në orën 10:00 do të jetë prezantimi i të gjeturave të raportit për sipërfaqen e territorit të Kosovës dhe besoj që nesër gjatë prezantimit do të kuptohen detaje të tjera, reth kësaj çështje", tha Cela

Ndryshe nga ky komision, sot është larguar anëtari Fitim Humolli, i vetmi gjeograf në përbërjen e komisionit.

Largimin nga komisioni e ka konfirmuar zëdhënësi Çela. Megjithatë ai ka thënë se komisioni nga fillimi ka qenë unik dhe nuk ka pasur problem për mënyrën e punës.

"Konsideroj se puna e komisionit ka qenë shumë unike e bashkëpunuese. Përfaqësuesi i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore [Fitim Humolli],gjatë gjithe kohës, prej fillimit, në takimin e parë ka tentuar të jetë imponues", tha Çelaj.

Çelaj nuk ka dashur të flas më shume për ndonjë të gjetur të re.

Pas paraqitjes të gjetjeve të komisionit ditën e martë, nga data 21 deri më 24 janar, ky komision do të zhvillojë diskutimet publike dhe pastaj do të bëhet përmbyllja e raportit përfundimtar.

Matja e territorit është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Formimin dhe punën e këtij komisioni e kanë kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kanë dashur që të marrin pjesë në këtë komision duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.

XS
SM
MD
LG