Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Sot publikohet raporti i Komisionit për matjen e territorit të Kosovës


Një komision shtetëror i ekspertëve pritet të bëjë, të martën, prezantimin e një raporti me gjetjet pas matjes së territorit të Kosovës, pas të cilit pritet t’i hapet rruga riprocedimit në Kuvend të Marrëveshjes së kundërthënëshme të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Komisioni që udhëhiqet nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e një numri ekspertësh të fushave të ndryshme, pritet që të ofrojë rezultatet e tij bazuar në, siç thuhet, dokumentet zyrtare.

Komisioni për Matjen e territorit të Kosovës u themelua me vendim të Qeverisë së Kosovës pas një varg kundërshtimesh edhe me forcë të opozitës në Kosovë ndaj Marrëveshjes për Demarkacion, duke pamundësuar debatin për të në Kuvend.

Zëdhënësi i komisionit, Tomor Çela tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha punët profesionale kanë përfunduar duke i hapur rrugën prezantimit të gjetjeve të komisionit.

"Pothuajse e gjithë puna analitike, prezantimet dha diskutimet kanë përfunduar dhe tani jemi duke u marrë me punët teknike. Besoj se gjatë prezantimit [të matjes së sipërfaqes së territorit të Kosovës] do të kuptohen detaje të tjera rreth kësaj çështjeje", tha Çela.

Komisionit për matjen e territorit të Kosovës, një ditë përpara prezantimit të gjetjeve i është dorëhequr njëri nga anëtarët e tij, Fitim Humolli, që cilësohej si i vetmi gjeograf në përbërjen e komisionit.

Humolli e arsyetoi dorëheqjen me, siç tha, “anashkalim të institucioneve profesionale në punën e komisionit”.

Por zëdhënësi i Komisionit, Tomor Çela, vlerësoi se ‘komisioni që nga fillimi ka qenë unik dhe nuk ka pasur problem për mënyrën e punës’.

Çela megjithatë nuk dha hollësi të raportit, por theksoi se Komisioni do të zhvillojë diskutime publike në tri ditët në vijim dhe pastaj do ta bëjë përmbylljen e raportit përfundimtar.

Marrëveshja e Demarkacionit për kufirin me Malin e Zi, që u nënshkrua në verën e vitit 2015 me praninë ndërkombëtare, u ratifikua nga pala malazeze, por nxiti një reagim të fuqishëm të opozitës në vend, që e konsideroi atë si ‘cenuese të territorit të Kosovës’ me të cilën , sipas saj, ‘Kosova humbet 8 mijë hektarë tokë të saj’.

Marrëveshja, është përcaktuar nga Komisioni Evropian, në rekomandimin e tij për hapjen e procesit të liberalizimit të vizave në maj të vitit të kaluar, si një kriter bazë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE.

Autoritetet në vend thonë se do të procedojnë me marrëveshjen në Kuvend sapo të jetë përmbyllur procesi i matjes së territorit, ndërkohë që opozita sërish ka paralajmëruar kundërshtime të fuqishme.

XS
SM
MD
LG