Ndërlidhjet

Mediat e kanë dënuar përjashtimin e gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë


Shtëpia e Bardhë në Uashington

Disa organizata të mediave e kanë kritikuar ashpër përjashtimin e tyre nga një takim joformal në Shtëpinë e Bardhë me zëdhënësin, Sean Spicer.

Mbrëmë, Shtëpia e Bardhë nuk i ka lejuar disa organizata të mediave që të marrin pjesë në konferencën joformale për gazetarë, por pa kamera, që në zhargonin gazetaresk njihet me fjalën angleze “gaggle”.

Reporterët e rrjeteve CNN dhe BBC, dhe të gazetës, New York Times, ishin në mesin e disa organizatave mediale, që janë përjashtuar nga një takim në zyrën e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

New York Times tha se kjo lëvizje paraqet “fyerje të padyshuar të idealeve demokratike”, ndërsa BBC-i ka kërkuar nga Shtëpia e Bardhë që të qartësohet përjashtimi i saj.

Gazetarët e agjencisë Associated Press, dhe revistës Time, u larguan nga ky takim kur dëgjuan se disa kolegëve të tyre të organizatave të tjera nuk u ishte lejuar pjesëmarrja.

Ky zhvillim ndodhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lansuar edhe një sulm të ri kundër mediave, duke thënë se “lajmet e rrejshme” janë “armiku i popullit”, derisa janë publikuar raporte që pretendojnë se ndihmësit në fushatën e tij kishin pasur kontakte me zyrtarët e inteligjencës së Rusisë.

Zoti Spicer nuk ka shpjeguar se përse këto organizata janë përjashtuar, por ka tërhequr vërejtjen se Shtëpia e Bardhë do të angazhohet fuqishëm në “përgjigje agresive” ndaj “tregimeve të rrejshme” në lajme.

XS
SM
MD
LG