Ndërlidhjet

Rusi: Aktivisti politik Ildar Dadin lirohet nga burgu


Aktivistët duke kërkuar lirimin e Ildar Dadinit
Aktivistët duke kërkuar lirimin e Ildar Dadinit

Aktivisti politik në Rusi, Ildar Dadin, është liruar nga burgu, kanë raportuar mediat ruse.

Lirimi i tij u bë pasi presidenca e Gjykatës Supreme të Rusisë më 22 të këtij muaji, e ka hedhur poshtë dënimin e Dadinit lidhur me akuza për pjesëmarrje në disa protesta të palejuara dhe ka urdhëruar lirimin e tij nga burgu.

Po ashtu, presidenca e gjykatës ka vendosur që rasti kundër zotit Dadin të mbyllet.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, e ka cituar bashkëshorten e Dadinit, Anastasia Zotova, që ka thënë se ai është liruar sot.

Rrjetet televizive në Rusi i kanë transmetuar pamjet ku shihet zoti Dadin duke u larguar nga burgu në pjesën jugore të Siberisë.

Ildar Dadin, që nga organizatat ruse dhe ndërkombëtare ishte konsideruar i burgosur politik, ishte në vuajtje të dënimit me dy vjet e gjysmë burg, pasi ishte dënuar sipas ligjit kundërthënës që e penalizon pjesëmarrjen në më tepër se një protestë të palejuar, në periudhën prej 180 ditëve.

Dadin, i vetmi person në Rusi që është dënuar spas këtij legjislacioni, vitin e kaluar e ka shkruar një letër të hapur, me të cilën është ankuar se ai dhe personat e tjerë janë rrahur dhe torturuar në burgun në rajonin Karelia. Më vonë ai ishte transferuar në rajonin Altai Krai në Siberinë jugore.

Ai ishte dënuar në vitin 2015 dhe e ka vuajtur më tepër se një vit të dënimit të tij.

XS
SM
MD
LG