Ndërlidhjet

Forcat irakiane marrin nën kontroll një urë kyçe dhe një lagje në perëndim të Mosulit


Ofesiva në Mosul

Forcat irakiane, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, që po luftojnë për të rimarrë Mosulin Perëndimor nga militantët e Shtetit Islamik (IS), kanë marrë nën kontroll një lagje dhe një urë kyç në lumin Tigër, një lëvizje kjo që mund të mundësojë hapjen e linjave të furnizimit me pjesën lindore që kontrollohet nga qeveria.

Zyrtarët ushtarakë kanë thënë se është kruciale që të bëhet një lidhje në mes të brigjeve lindore dhe perëndimore të lumit Tigër, me qëllim që të mbështetet beteja për të mposhtur IS-in në Mosul.

Përmes një deklarte, ushtria irakiane ka thënë sot se forcat qeveritare kanë marrë nën kontroll urën në jug të Mosulit, e cila është njëra nga pesë urat e dëmtuara dhe të papërdorshme të lumit Tigër.

Zyrtarët e ushtrisë irakiane kanë njoftuar se janë duke u përpjekur të ndërtojnë një urë lundruese përgjatë urës në lumin Tigër.

Më herët gjatë ditës së sotme, forcat qeveritare kanë arritur po ashtu të marrin kontrollin e lagjes Tayyaran, që gjendet afër urës.

“Kemi pasur një operacion të rëndësishëm mëngjesin e sotëm për të lëvizur drejt urës”, ka thënë për AFP, koloneli i forcave të Irakut për Reagim të Shpejt, Falah al-Wabdan.

Ai ka shtuar se kjo zonë është e minuar rëndë dhe se forcat irakiane vetëm gjatë 26 shkurtit kanë vrarë 44 militantë.

Të mbështetur nga fuqia ajrore e SHBA-së, militantët shiitë dhe luftëtarët kurdë Peshmerga, forcat irakiane fillimisht nisën ofensivën e tyre ndaj IS-it në muajin tetor.

Pas një beteje të përgjakshme, trupat irakiane çliruan lindjen e Mosulit në muajin janar.

Por ekspertët thonë se Mosuli Perëndimor, me rrugët e saj të ngushta dhe me rreth 750,000 banorët, mund të jetë më e vështirë të merret nën kontroll. Në Mosulin Perëndimor, vlerësohet se janë 2,000 luftëtarë të IS-it.

Zyrtarët e ushtrisë irakiane deri tani kanë raportuar për fitime të qëndrueshme por ata janë përballur edhe me rritjen e numrit të viktimave.

Agjencia e lajmeve Associated Press më 26 shkurt, ka cituar zyrtarë mjekësorë në klinikat në linjën e frontit, të cilët kanë thënë se të paktën 30 forca të sgurisë dhe mbi 200 civilë janë vrarë ose plagosur në tri ditët e fundit.

Banorët kanë raportuar se ka trupa të pajetë nëpër rrugë në disa lagje në Mosul.

Ushtria irakaine nuk ka njoftuar për numrin e vdekjeve nga sulmi.

Përderisa vazhdon bejeta për çlirimin e Mosulit Perëndimor, zyrtarët irakianë dhe historianët botërorë janë takuar në Paris, për të koordinuar planet për restaurimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, shumica prej të cilave janë shembur ose janë bombarduar nga militantët e IS-it.

Historianët me padurim janë duke pritur të mësojnë për fatin e muzeut kryesor të Mosulit, i cili është muzeu i dytë më i madh në Irak, në zonën e cila vlerësohet se është e banuar qe 4,400 vjet.

Muzeu ishte plaçkitur gjatë luftës në Irak në vitin 2003 por ishte në prag të rihapjes në vitin 2014, kur IS-i morri nën kontroll qytetit, raporton AFP.

Militantët e IS-it morrën nën kontroll pjesë të mëdha në veri të Irakut dhe Sirisë në ofensivën e vitit 2014.

Grupi militant është akuzuar për një numër të madh të mizorive dhe ka marrë përgjegjësinë për sulme të mëdha terroriste në Evropë dhe vende të tjera.

Grupi militant e shpalli Mosulin kryeqytetittë kaliftatit të tyre pasi e morrën nën kontroll këtë qytet në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG