Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit debatoi për Kosovën


Pamje nga një mbledhje e mëparshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot ka debatuar për zhvillimet në Kosovë, në bazë të raportit tremujor për periudhën 16 tetor 2016 – 15 janar 2017, të paraqitur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Në këtë seancë, Kosova u përfaqësua nga ambasadorja në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila theksoi se “Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur, të cilën e ka pranuar numri më i madh i vendeve të lira në botë”.

Mëtutje ajo ka theksuar se Serbia po jeton në një univers paralel, por realiteti është se Kosova është e lirë, e pavarur dhe shtet sovran.

“Fakti se Serbia nuk e njeh Kosovën, nuk na bënë neve shtet më të vogël”, tha Çitaku.

Ajo e ka përmendur edhe arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë, në bazë të kërkesës së Serbisë. Sipas saj, kjo paraqet përpjekje të Serbisë për ta kthyer historinë prapa.

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, i cili mori pjesë në seancën e sotme, tha se Serbia do të vazhdoj të udhëheq politikë paqësore.

“Në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Serbia përpiqet ta gjej rrugën e normalizimit të gjendjes”, tha Nikolliq.

Duke folur për rastin e trenit, ai tha se dërgimi i njësive speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore ishte kërcënim direkt për jetët e civilëve.

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara ka theksuar se “Kosova është tregim i suksesshëm” dhe ka theksuar rëndësinë e bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës dhe ka kërkuar nga të dy palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën si demokraci shumetnike, njohjen e saj ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, tha diplomati amerikan. Ai ka kërkuar që raporti për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të paraqitet çdo gjashtë muaj, e jo çdo tre muaj.

Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e sotme, tha se Rusia e kundërshton ashpër ndryshimin e mandatit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ai theksoi se formimi i forcave të armatosura të Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

XS
SM
MD
LG