Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Francë 2017: “Obama për president”


Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Një peticion online, që i bën thirrje ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, të garojë në zgjedhjet presidenciale në Francë, ka tërhequr mbi 42,000 mbështetës.

Posterë të fushatës me mbishkrimin “Oui, on peut”, që nga frëngjishtja do të thotë “Po, ne mundemi”, janë shfaqur gjithandej Parisit.

“Po, ne mundemi” (Yes, we can) ka qenë slogan i fushatës së Obamës në zgjedhjet e vitit 2008.

Obama nuk është shtetas francez dhe rrjedhimisht nuk mund të garojë.

Por, ata që qëndrojnë pas peticionit, thonë se synojnë të nxjerrin në pah mungesën e kandidatëve frymëzues në Francë, raporton BBC.

Qytetarët francezë do të votojnë në zgjedhjet presidenciale më 23 prill.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk siguron mbi 50 përqind të votave në rrethin e parë, balotazhi do të mbahet më 7 maj.

Një figurë dominuese në fushatën në Francë është liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila kryeson sondazhet e opinionit përballë rivalit të qendrës së djathtë, Francois Fillon, dhe kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron.

Megjithatë, të dy rivalët e saj parashihet ta mundin atë në balotazh.

XS
SM
MD
LG