Ndërlidhjet

Trump: Mbështetje e fuqishme për NATO-n, por kërkohet që anëtarët të paguajnë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar mbështetje të fuqishme për NATO-n, por i ka përsëritur thirrjet e tij se anëtarët e aleancës duhet të bëjnë më tepër lidhur me kontributet e tyre financiare.

Këto komente të zotit Trump u bënë mbrëmë vonë në fjalimin e tij të parë në seancën e përbashkët të Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe ato paraqesin shenjë të sigurimit për aleancën trans-atlantike, të cilën ai e ka kritikuar në të kaluarën.

“Ne fuqishëm e mbështesim NATO-n, një aleancë që është kalitur nëpërmjet lidhjeve të dy Luftërave Botërore, që e ka rrëzuar fashizmin dhe në Luftën e Ftohtë, që e mundi komunizmin”, tha Donald Trump, ndërsa fjalët e tij u ndoqën me duartrokitje të ligjvënësve.

“Ne presim që partnerët tanë, qofshin në NATO, në Lindjen e Mesme, ose në Paqësor, të marrin rol direkt dhe kuptimplotë në operacionet strategjike dhe ushtarake dhe ta pagujanë pjesën e tyre korrekte të çmimit”, tha Trump.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump e kishte vënë në pikëpyetje përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj parimit themelor të NATO-s, se sulmi kundër një anëtari të aleancës do të konsiderohet sulm kundër gjithë NATO-s.

Në fjalimin e zotit Trump, i pari në Kongres prej se e mori presidencën më 20 janar të këtij viti,kryesisht janë prekur shqetësimet e brendshme amerikane, siç janë kujdesi shëndetësor dhe përkeqësimi i rrugëve dhe urave.

Ai e filloi fjalimin duke i dënuar kërcënimet dhe vandalizmat aktualë kundër komunitetit hebrenj dhe të shtënat në Kanzas, kundër dy imigrantëve nga India.

Fjalimi i presidentit Trump u bë në ditën e tij të 40 në Shtëpinë e Bardhë, që konsiderohet se ishte një periudhë turbulente dhe ndonjëherë edhe kaotike.

XS
SM
MD
LG