Ndërlidhjet

Protestuesit sulmojnë gazetarët


Vazhdojnë protestat kundër gjuhës shqipe
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Vazhdojnë protestat kundër gjuhës shqipe

Protestat e së martës kundër gjuhës shqipe, të organizuara nga Iniciativa Qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” mbështetëse e VMRO DPMNE-së, kanë eskaluar me dhunë, me ç'rast një grup i protestuesve ka goditur me grusht gazetarin dhe kameramanin e portalit televiziv A1O.

Gazetari i portalit televiziv A1 ON Aleksandar Todevski si dhe Vladimir Zhelçevski janë dërguar në Qendrën Urgjente, si rrjedhojë e plagëve të marra nga ana e protestuesve në momentin që ata janë përpjekur të filmojnë bankënotat e shpërndara nga porta “Maqedonia” të cilat në formë kompjuterike janë shtypur në dy gjuhë atë maqedonase dhe shqipe.

Njëherësh janë regjistruar edhe disa konflikte verbale mes protestuesve dhe gazetarëve, veçanërisht atyre që janë më kritike ndaj politikave të qeverisë.

Nga dikasteri i Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se menjëherë pas këtij incidenti janë arrestuar sulmuesit e gazetarëve.

Protesta kundër gjuhës shqipe dhe ruajtjes së shtetit, janë duke u organizuar në Shkup dhe disa qytete të Maqedonisë çdo ditë, pas marrëveshjes së Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë me partitë politike shqiptare për ligjin e gjuhës shqipe që garanton një shtrirje më të gjerë në tërë territorin e Maqedonisë.

Sindikata e Gazetarëve të Maqedonisë ka kërkuar nga organet e sigurisë që të angazhohen në zbardhjen e tërësishme të sulmit ndaj gazetarëve gjatë protestave të organizuara nga Iniciativa Qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”

Nga Sindikata e Gazetarëve të Maqedonisë kanë theksuar se nuk guxojnë të mbeten të pa dënuar ata të cilët ushtrojnë dhunë ndaj punonjësve të mediave duke shtuar se "dhuna është si rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale që gjithnjë e më shumë është e pranishme në rrjetet sociale dhe kjo dhunë verbale transferohet në dhunë fizike në rrugë".

Sulmin ndaj gazetarëve e kanë dënuar ashpër dhe partitë politike.

Lidhja Social Demokrate e nga Nikolla Gruevskit dhe partia që drejton VMRO DPMNE, ka kërkuar që urgjentisht të ndërpresin provokimet si dhe "nxitjen e sjelljes jo civilizuese e cila sjellje të martën në mbrëmje kulmoi me ushtrimin e dhunës ndaj gazetarëve", duke shtuar se pavarësisht presionit, Maqedonia do të ketë qeveri të re si garantuese e sigurisë së shtetit dhe të gjithë qytetarëve.

“Thirrjet për linçim, gjuha e urrejtjes, incidentet e orkestruara në të cilën ka gurëzim dhe thyerje të objekteve, tentimet për shqetësim të familjeve në shtëpitë e tyre duhet të ndërpriten menjëherë".

"Kjo mënyrë të cilën e ka zgjedhur regjimi në largim, të vuajnë njerëz të pafajshëm, në mënyrë që kriminelet të mos bartin përgjegjësi për të bërat gjatë 10 viteve ndaj qytetarëve të Maqedonisë, është edhe një vërtetim për vendimin e drejtë të shumicës së qytetarëve për ndryshime dhe nevojën urgjente për transferim të qetë të pushtetit”, theksohet në komunikatën për media të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë.

Ndërkaq lideri i Lëvizjes Besa, në rrjetin social Facebook ka shkruar se sulmi ndaj gazetarëve paraqet edhe një tregues se përse Maqedonia në të gjitha raportet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes është në gjendje alarmuese.

“Për Lëvizjen BESA sulmet ndaj mediave dhe përfaqësuesve të tyre janë të papranueshme, andaj i dënojmë ashpër sulmet që sonte iu bënë gazetarëve. Ju bëj thirrje të gjithë aktorëve relevant, shoqatave të pavarura, intelektualëve, zyrave diplomatike që ta dënojnë ashpër këtë sulm ndaj mediave të pavarura dhe një zëri ta ndalim këtë praktikë të dëmshme të instaluar nga pushteti që ka për qëllim Maqedoninë ta shndërrojë në një shtet diktatorial ku çdokush që mendon ndryshe shantazhohet dhe kërcënohet nga banda kriminale të partive në pushtet”, ka theksuar Billall Kasami.

Përderisa, koalicioni Aleanca për Shqiptarët u kanë bërë thirrje organeve kompetente, prokurorisë dhe policisë që sa më shpejt t'i marrin masat e duhura dhe dhunuesit e gazetarëve t'i nxjerrin sa më parë para drejtësisë.

“Pushteti në ikje po mundohet në të gjitha format të inskenojë incidente, dhe krizë politike, duke mos kursyer forma dhe mënyra për ta rrezikuar edhe jetën e qytetarëve, por edhe të gazetarëve që janë në shërbim të detyrës së tyre".

"Ky vandalizëm ndaj gazetarëve, dhe kjo retorikë e vazhdueshme nacionaliste, që ndjell urrejtje ndëretnike, është një akt i papranueshëm që pasqyron, metodat e këtij pushteti që ngufat demokracinë dhe fjalën e lirë”, theksohet në reagimin me shkrim të Aleancës për Shqiptarët.

XS
SM
MD
LG