Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese e Kroacisë kundërshton ndalimin e abortit


Zagreb, Kroaci

Gjykata Kushtetuese e Kroacisë hodhi poshtë thirrjet për ndalimin e abortit.

Ky vendim u cilësua si historik pas viteve të fushatës nga konservatorët e mbështetur nga Kisha Katolike, për të përmbysur ligjin e viteve 1970.

Kërkesa për rishikim të ligjit që lejon abortin është bërë nga aktivistë konservatorë në vitin 1991, kur Kroacia ka shpallur pavarësinë nga ish-Jugosllavia, dhe është përtërirë vitin e kaluar.

Çdo kufizim i vendimmarrjes së gruas, sa i përket shtatzënisë së saj, “paraqet ndërhyrje në të drejtën e saj kushtetuese për privatësi”, tha kryetari i gjykatës, Mirosllav Sheparoviq.

Gjykata po ashtu urdhëroi Parlamentin të miratojë një ligj të ri për rregullat e abortit, brenda dy vjetëve të ardhshëm, duke thënë se ligji aktual është i vjetëruar.

Gjykata rekomandoi që ligji i ri të përfshijë masa parandaluese dhe edukative për të reduktuar numrin e aborteve.

Ligji aktual, i miratuar në vitin 1978, kur Kroacia ka qenë pjesë e Jugosllavisë, u lejon grave të abortojnë deri në javën e dhjetë të shtatzënisë.

Afro 90 përqind e popullsisë 4.2 milionëshe të Kroacisë është katolike.

XS
SM
MD
LG