Ndërlidhjet

Protestë në Prishtinë për lirimin e Ramush Haradinajt


Protesta në Prishtinë për lirimin e Ramush Haradinajt
Protesta në Prishtinë për lirimin e Ramush Haradinajt

Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar në qendër të Prishtinës, me kërkesën për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet nga autoritetet franceze.

Protesta është organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës parti është Haradinaj, ndërsa është përkrahur edhe nga partitë tjera opozitare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Masës së tubuar i është drejtuar edhe ambasadori William Wolker, i njohur si mik i shtetit të Kosovës.

Ish-shefi i Misionit Verifikues Ndërkombëtar gjatë kohës së paraluftës dhe fillimit të luftës në Kosovë, ka thënë se kishte menduar që drejtësia franceze ishte ndër më të mirat në botë, por kjo që ka ndodhur me Haradinajn, sipas tij, “është një turp”.

“Ramush Haradinaj është mik i mirë i imi. Ishte mik i imi në të kaluarën, është mik i imi tani dhe do të mbetet mik i imi, pavarësisht se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Walker.

“Kam mbërri mbrëmë vonë dhe vonë e kam kuptuar për protestën. Nuk jam këtu që të mbaj fjalim, por të shpreh solidaritetin tim me Ramushin dhe të gjithë njerëzit e Kosovës”, ka thënë ish-ambasadori amerikan.

Protestuesve, me anë të një video mesazhi u është drejtuar vetë Ramush Haradinaj. Ai ka deklaruar se nuk do të ndalen duke kërkuar të drejtën që të jetojnë të lirë.

Shkoi kohë e gjatë duke u përpjekur, duke luftuar për të drejtën tonë. Edhe sot po e vazhdojmë po këtë rrugë, duke kërkuar të drejtën tonë për të jetuar të lirë me dinjitete në vatrat tona. U jam thellësisht mirënjohës nga zemra ime për krejt përkrahjen dhe qëndrueshmërinë e juaj! Nëse qëndrojmë në rrugën tonë e të drejtën tonë - do ta fitojmë të drejtën të jetojmë të lirë në tokat tona, në vendin tonë”, është shprehur Haradinaj.

Në protestë kanë folur edhe zyrtarët e dy subjekteve opozitare. Nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, i cili është edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, ka thënë se mbajtja e Haradinajt në Francë nuk është e rastësishme.

"Besoj se të gjithë pajtohemi se mbajtja e Haradinajt në Francë nuk është e rastësishme, por po ashtu përgjigja e Ramush Haradinajt dhe e të gjithë neve dhe e gjithë qytetarëve është se demarkacioni nuk kalon. Edhe një herë nga Prishtina mesazhi sot është: demarkacioni nuk kalon. Nuk ka kërcënim që na zmbraps, as Ramushin e as të gjithë neve, prandaj qëndroni të bashkuar të luftojmë për ketë vend dhe të mos pranojmë gjëra të këqija për vendin tonë", ka theksuar Ahmeti.

Kurse, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga Nisma për Kosovën ka kërkuar nga drejtësia e Francës që mos të mbështetet në akuzat e rrejshme që ka kurdisur politika në Beograd, jo vetëm për Haradinajn, po edhe ndaj Kosovës.

"I bëj kërkesë dhe thirrje drejtësisë së Francës që të mos marrë vendime mbi bazën e akuzave të rrejshme dhe dëshmive të rrejshme nga një regjim që ka ushtruar gjenocid, jo vetëm në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm ndaj shqiptareve. Ajo politikë, që është udhëhequr nga Beogradi, ka qenë politikë që i ka hedhur faqe të zezë jo vetëm Serbisë, por të gjitha vendeve të botës demokratike", ka thënë Krasniqi duke shtuar se Haradinaj duhet të kthehet sa më parë në Kosovë.

Përfaqësuesit e partive politike kanë kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës që të ndërpresin dialogun politik me Serbinë dhe t’i thonë jo demarkacionit me Malit të Zi. Po ashtu, u është thënë se drejtuesit e shteti të Kosovës e kanë rastin t’i tregojnë Serbisë që nuk munden që udhëheqësit e saj të lëvizin lirshëm nëpër Kosovë e të bëjnë fushatë elektorale, si dhe u kërkua që t’u thuhet stop padrejtësive me Gjykatën Speciale. Në protestë u kërkua që udhëheqësit e vendit, Kosovën ta bëjnë me ushtri, e të mos bëhen kinse s’po shohin se çfarë po ndodh në rajon.

Ndryshe, që nga ndalimi i Haradinajt më 4 janar nga policia franceze, në disa vende evropiane ku ka qytetarë shqiptarë, është protestuar për lirimin e ish-kryeministrit Haradinaj.

Një gjykatë në Francë ka shtyrë vendimin për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, deri më 6 prill si “një afat shtesë për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë”.

Pas shtyrjes së verdiktit për rastin Haradinaj, kanë reaguar institucionet dhe përfaqësuesit më të larta të Kosovës, presidenti, Qeveria, kryetari i Kuvendit, si dhe partitë politike në pushtet dhe opozitë.

Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia nëpërmjet Interpolit.

Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.(REL)

XS
SM
MD
LG