Ndërlidhjet

Trump mund ta nënshkruajë urdhrin e ri të ndalesës së udhëtimit më 6 mars


Presidenti Donald Trump

Agjencitë e lajmeve në SHBA janë duke raportuar se presidenti Donald Trump po planifikon që më 6 mars të nënshkruajë urdhrin ekzekutiv, të përditësuar, që ndalon udhëtimin shtetasve të disa vendeve me shumicë myslimane.

Politico dhe CNN kanë cituar një zyrtar të administratës, që ka thënë se nënshkrimi i urdhrit është planifikuar të mbahet në Departamentin e Sigurisë Kombëtare. Zyrtari ka shtuar se megjithatë, koha e nënshkrimit të urdhërit nga ana e presidentit, mund të ndryshojë.

Urdhri origjinal i 27 janarit ndalonte qytetarët e shtatë shteteve me shumicë myslimane që të hynin në Shtetet e Bashkuara për 90 ditë.

Shtetet që ishin përfshirë në ndalesën e përkohshme të udhëtimit në Shtetet e Bashkuara janë Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Por ky urdhër më pas u bllokua nga një gjykatës federal dhe Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump është duke planifikuar ta rishikojë atë.

Raportimet megjithatë nuk e kanë bërë të qartë se sa do të ndryshojë urdhri i ri nga ai paraprak.

XS
SM
MD
LG