Ndërlidhjet

FBI kërkon që Departamenti i drejtësisë t’i kontestojë akuzat e Trumpit për përgjim


Agjencia FBI ka kërkuar nga Departamenti i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara që t’i kontestojë akuzat e bëra nga presidenti, Donald Trump, se ish-presidenti Barack Obama, e ka përgjuar telefonin e zotit Trump gjatë fushatës zgjedhore, kanë raportuar mediat amerikane.

E përditshmja New York Times, dje i ka cituar zyrtarët e lartë amerikanë, që kanë thënë se drejtori i FBI-së, James Comey, dëshiron që Departamenti i drejtësisë t’i kontestojë pretendimet pasi ato në mënyrë mashtruese sugjerojnë se FBI e ka shkelur ligjin.

Agjencia Associated Press, duke e cituar një burim të paemëruar, po ashtu, ka raportuar për kërkesën e zotit Comey, që pretendimi të përgënjeshtrohet nga Departamenti i drejtësisë.

FBI operon nën autoritetin e Departamentit të drejtësisë, i cili udhëhiqet nga prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions.

Departamenti i drejtësisë nuk ka publikuar deklaratë për këtë kërkesë, ndërsa një zëdhënëse ka refuzuar të bëjë komente.

Po ashtu, agjencia FBI ka refuzuar të bëjë komente.

Shtëpia e Bardhë dje tha se presidenti, Donald Trump, ka kërkuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, ta shqyrtojë çështjen, nëse administrata Obama i ka keqpërdorë “autoritetet hetuese” gjatë fushatës zgjedhore së vitit 2016.

Kjo deklaratë u bë një ditë pasi presidenti, Donald Trump, e akuzoi parardhësin e tij, Barack Obama, për përgjim të zyrës së tij në Nju Jork, gjatë fushatës zgjedhore, por nuk ka ofruar prova.

Një zëdhënës i zotit Obama i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke i vlerësuar si “thjesht të falsifikuara”.

Ish-drejtori i inteligjencës kombëtare amerikane, James Clapper, i ka hedhur poshtë pretendimet për çfarëdo përgjimi ndaj fushatës zgjedhore të Donald Trumpit.

“Nuk ka pasur aktivitet të tillë të përgjimit kundër presidentit, atëherë presidentit të zgjedhur, e as të kandidatit, ose kundër fushatës së tij”, tha ish-drejtori i inteligjencës kombëtare të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, mbrëmë vonë në intervistën për rrjetin NBC.

Zoti Clapper ka theksuar se si drejtor i inteligjencës ai do të kishte njohuri për çfarëdo “urdhërese gjyqësore për diçka të tillë” dhe shtoi se “absolutisht e refuzoj këtë”.

Por, ai theksoi se nuk mund të flasë për “entitetet e tjera të autorizuara në qeveri ose në shtet, apo në entitet lokal”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, nëpërmjet një kumtese, duke iu referuar raporteve të paspecifikuara “të hetimeve të motivuara politikisht menjëherë para zgjedhjeve të vitit 2016”, ka vlerësuar se ato janë “shumë problematike”.

“Presidenti Donald Trump po kërkon që si pjesë e hetimit të tyre për aktivitetin rus, komitetet e inteligjencës së Kongresit ta shqyrtojnë autoritetin e tyre mbikqyrës, për të përcaktuar nëse autoritetet hetuese të ekzekutivit janë keqpërdorë në vitin 2016”, tha Spicer.

“As Shtëpia e Bardhë, e as presidenti, nuk do të bëjnë komente të mëtejshme derisa një mbikëqyrje e tillë të udhëhiqet”, tha Sean Spicer.

Josh Earnest, i cili ishte zëdhënësi i administratës Obama, tha se presidentët nuk kanë autoritet të urdhërojnë përgjim të shtetasve amerikanë.

Ai, po ashtu, tha se hetuesit e FBI-së dhe zyrtarë të Departamentit të drejtësisë duhet të kenë miratim nga një gjyqtar federal për të përgjuar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG