Ndërlidhjet

Pahor: Sllovenia mbetet e gatshme për të pritur Trumpin e Putinin


Presidenti i Sllovendisë, Borut Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha se ftesa e tij për të mirëpritur një samit midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, vlen ende, me gjithë zërat se Kremlini ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Pahor, në një intervistë për agjencinë The Associated Press, tha se "tradita" e takimit të parë midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Slloveni nuk duhet të hidhet poshtë dhe se Sllovenia është po ashtu vendlindja e Zonjës së Parë të SHBA-së.

Në qershor të vitit 2001, presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush, ka takuar për herë të parë Putinin në Slloveni, për të diskutuar mundësinë e kompromisit për planet e mbrojtjes raketore të SHBA-së.

"Sllovenia ka shprehur zyrtarisht gatishmërinë e saj. Do të ishin të mirëpritur në atmosferë të mirë", tha Pahor, vendi i të cilit është anëtar i Bashkimit Evropian, por ka lidhje tradicionale me Rusinë, raporton AP.

Putin ka thënë se Sllovenia do të ishte vend i mirë, por ka shtuar se nuk varet nga ai.

Pahor tha se e ka diskutuar çështjen me nënpresidentin amerikan, Mike Pence, porse ai nuk e ka dhënë përgjigjen finale.

"Tradita" sllovene është ndërprerë gjatë presidencës së Barack Obamës.

Obama, paraardhës i Trumpit, ka takuar për herë të parë presidentin e atëhershëm rus, Dmitry Medvedev, në Moskë.

Edhe Putin, edhe Trump kanë thënë se shpresojnë të përmirësojnë marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat janë tendosur pas ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe çështje të tjera.

Dy presidentët kanë folur në telefon më 28 janar, por data e takimit nuk është caktuar ende.

XS
SM
MD
LG