Ndërlidhjet

Qeveria, pas Tahirit ikin dhe 3 ministra të tjerë


Një ditë pas hipotezave që shoqëruan largimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kryeministri Edi Rama nuk humbi kohë, por siç njoftuan burime pranë tij, vazhdoi me ndryshimet e tjera në kabinetin qeveritar.

Në mbledhjen e koordinatorëve të Partisë socialiste për të 12 qarqet e vendit, shumica dërrmuese e të cilëve janë anëtarë të qeverisë, ai komunikoi largimin dhe të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, atij të Mirëqënies sociale dhe Rinisë Blendi Klosi dhe të Ministrit të Pushtetit vendor dhe koordinatorit kombëtar për Antikorrupsionin Bledi Çuci.

Shpjegimin zyrtar e dha pasdite vetë kryeministri i cili në mënyrë të përsëritur në të kaluarën ka refuzuar çdo mundësi ndryshimesh në kabinetin e tij:

"Ndryshimet e qeverisë nuk reflektojnë asgjë tjetër, veçse domosdoshmërinë që udhëheqësit tanë politikë të fushatës së 18 Qershorit, të fokusohen me energji të reja dhe prani të vazhdueshme pranë njerëzve në përballimin e volumit të jashtëzakonshëm të kontakteve me njerëzit që kërkon kjo fushatë”

Zoti Rama hodhi poshtë gjithashtu zërat se ndryshimet mund të kenë ardhur si pasojë e ndonjë kërkese nga aleati i tij Ilir Meta, dhe aq më tepër si pasojë e protestës së opozitës e cila për më shumë se tre javë po kërkon poshtë dritares së tij krjimin e një qeverie teknike që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa ka refuzuar të rregjistrohet për në garën e ardhshme elektorale.

“Këto ndryshime nuk kanë asnjë lidhje me shfaqjet elektorale që jepen, një orë paradite dhe një orë pasdite, në studion televizive që është instaluar këtu poshtë zyrës sime. Nuk ka lidhje as me deputetët e shkretë të PD-së që bëjnë turne nate me grafik, për të ruajtur studion dhe turfullojnë me njëri-tjetrin për pagesat e figurantëve të cilët mezi po i mbledhin për të duartrokitur liderin që nuk e kanë”, u shpreh kryeministri.

Zoti Rama foli me vlerësime për punën e të katër anëtarëve të qeverisë që po largohen, veçanërisht për ministrat Tahiri dhe Beqja, dy emrat që prej një kohe shumë të gjatë kanë qenë ndër më të sulmuarit nga opozita, e cila këtë lëvizje të kryeministrit e quan një truk.

Ashtu siç u shpreh dhe mbrëmë, kryetari demokrat Lulzim Basha përsëriti se nuk mjaftohen me “koka turku”, dhe se koka që kërkojnë është ajo e vetë kryeministrit:

“Nuk jemi mbledhur që, padrino të shkarkojë shërbëtorët e tij. Nuk jemi këtu për shërbëtorët e Edi Ramës. 1, 2, 3, 4, 14 po të dojë, le t’i shkarkojë të gjithë. Çdo truk, çdo manovër për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve, për t’ua dhënë sapunin për djath, apo Tahirin për Ramë, është e papranueshme. Protesta vazhdon dhe do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike”, deklaroi zoti Basha.

Ndërsa debatet për ndryshimet në kabinetin e zotit Rama do të vazhdojnë, tani mbetet për t’u parë cilët do të jenë emrat e rinj që do të përfshihen, veçanërisht kush do të jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm, një nga figurat kyçe të qeverisë, në një prej posteve më delikate.

Ky material fillimisht u publikua në VOA shqip.

XS
SM
MD
LG