Ndërlidhjet

Abadi: Beteja për Mosulin, në fazën përfundimtare


Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi

Forcat qeveritare irakiane sot kanë nisur ofenzivën e tyre për të arritur në Xhaminë e Madhe që gjendet në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ndërkaq kryeministri i vendit tha se beteja për të larguar militantët e Shtetit Islamik, nga bastioni i tyre i fundit urban në Irak është në fazën e fundit, raporton Reuters.

Trupat gjithashtu po mundohen të marrin nën kontroll “Urën e Hekurt”, që lidh lindjen e Mosulit me Qytetin e Vjetër, që gjendet në pjesën perëndimore.

Luftime të ashpra raportohet se po zhvillohen edhe pranë Muzeut të Mosulit. Një makinë-bombë e militantëve të IS-it ka shpërthyer pranë këtij muzeu.

“Forcat tona kanë përparuar drejt objektivave të tyre. Objektivi kryesor është marrja nën kontroll e Urës së Hekurt dhe më pas të fillojnë operacionin për pastrimin e zonës përreth urës nga luftëtarët e IS-it”, ka thënë një zëdhënës i Njësisë për Reagim të Shpejt.

“Ne do të nisemi drejt pazarit të vjetër në Bab al-Tob, duke avancuar më shumë drejt Xhamisë së Madhe të Mosulit”, ka shtuar tutje ai.

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi ka thënë se “Daesh është në ditët e fundit” në Mosul, duke iu referuar grupit militant IS, me akronimin arab.

“Më lejoni të jem i qartë, ne do të kursejmë familjet e militantëve të Daeshit, të cilët janë civilë por do të ndëshkojmë terroristët dhe do t’i sjellim para drejtësisë nëse ata dorëzohen”, ka thënë Abadi.

Bejeta për rimarrjen e Mosulit perëndimor ka nisur në shkurt, një muaj pasi forcat irakiane, të mbështetur nga koalicioni i sulmeve ajrore që udhëhiqet nga SHBA-ja, morrën pjesën lindore të këtij qyteti.

Mosuli ra nën kontrollin e IS-it në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG