Ndërlidhjet

Ushtria e SHBA-ve e konfirmoi sulmin ajror në Siri, por jo ndaj xhamisë


Pamje e një aeroplani ushtarak amerikan

Ushtria e Shteteve të Bashkuara thotë se ka ndërmarrë sulm ajror kundër al-Kaidës në pjesën veriore të Sirisë, por cak i sulmit nuk ishte një xhami, ku dje janë vrarë dhjetëra vetë.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se “aeroplanë të paidentifikuar e kanë marrë në shënjestër” një xhami në fshatin, Al-Jineh, që është nën kontroll të kryengritësve, afër qytetit verior, Alepo, me ç’rast janë vrarë së paku 42 vetë dhe plagosur më se 100 të tjerë, shumica prej tyre civilë.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, John J. Thomas, tha se sulmi ajror “nuk e kishte në shënjestër xhaminë, por ndërtesën të cilën ne e kishim cak...e cila është afro 15 metra larg nga xhamia, që ende qëndron”.

Mëtutje, në kumtesën e kësaj komande theksohet se “forcat amerikane kanë ndërmarrë sulm ajror në një lokacion të takimit të Al-Kaidës në Siri më 16 mars në Idlib në Siri, duke i vrarë disa terroristë”.

Komentet e kolonelit Thomas u bënë pasi aktivistët lokalë kanë postuar fotografi në rrjetin Twitter të asaj që duket se ishin copë të raketës së prodhimit amerikan, Hellfire, ka raportuar e përditshmja New York Times.

Autenticiteti i fotografive nuk mund të verifikohet.

XS
SM
MD
LG