Ndërlidhjet

Tillerson do të vizitojë Rusinë në maj por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson do të zhvillojë vizitën e parë zyrtare në Rusi në muajin maj, si pjesë të turneut të tij evropian por nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në prill.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë njoftim mbrëmë vonë por nuk ka dhënë arsyet pse Tillerson nuk do të marrë pjesë në takimin e NATO-s.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, agjencia Reuters raporton se Tillerson nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel por në vend të kësaj do të marrë pjesë në takimin në mes të presidentit Donald Trump dhe homologut kinez, Xi Jinping, që pritet të mbahet në Florida më 6 dhe 7 prill.

Tillerson më pas do të fluturojë drejt Moskës dhe më pas do të marrë pjesë në samitin e G7-ës, që mbahet në Itali.

Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, Tom Shannon do të përfaqësojë SHBA-në në samitin e NATO-s, ka njoftuar DASH.

Ndërkaq, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, duke iu përgjigjur kërkesës së mediave, për të konfirmuar vizitën e Sekretarit Tillerson në Moskë, ajo tha se ministria “nuk është e gatshme të mohojë apo konfirmojë këtë informacion”.

Por ne jemi të befasuar se si ka rrjedhur ky informacion i ndjeshëm nga Uashingtoni”, ka thënë ajo në një postim në Facebook.

Është koha që elita politike amerikane të kuptojë nëse ‘hakerët rusë’ edhe njëherë kanë hyrë në serverët e Departamentit të Shtetit ose nëse kanë kërcënuar sigurinë kibernetike të SHBA-së”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, zëvendësminsitri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë se nuk ishte i njoftuar me planet e Tillersonit për të vizituar Moskën.

Mospjesëmarrja e Sekretarit Tillerson në samitin e NATO-s për të vizituar Moskën, mund të rrezikojë që të ushqej perceptimin se administrata Trump mund të jetë e përcaktuar që SHBA të ketë në përparësi marrëdhëniet me fuqitë e mëdha më parë se të merret me fuqitë e vogla, shkruan Reuters.

Njoftimi për vizitën e Tillersonit në Moskë, vjen në kohën kur autoritetet amerikane janë duke hetuar dyshimet se Rusia ka kryer sulme kibernetike dhe ka ndërhyrë në fushatën zgjedhore presidenciale më 2016.

Drejtori i FBI-së, James Comey, të hënën para Komitetit të Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, konfirmoi se po zhvillohen hetime, në lidhje me takimet në mes të zyrtarëve rusë dhe fushatës së Trumpit.

Presindeti Trump ka thënë se ai dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Rusinë. (REL)

XS
SM
MD
LG