Ndërlidhjet

Mustafa: Sulmet e NATO-s mbi caqet serbe i hapën udhë pavarësisë së Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se 24 marsi i vitit 1999, është ditë historike për Kosovën, pasi sulmet ajrore të NATO-s, mbi caqet serbe, përshpejtuan “çlirimin e Kosovës dhe i hapën udhë pavarësisë së vendit”.

Në përvjetorin e 18-të të fushatës ajrore të Aleancës së Veriatlantikut, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e përjetshme të Kosovës, për Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar “dhe të gjitha vendeve të tjera të NATO-s, të cilat na u gjenden pranë në momentet më të vështira”.

“Nisja e kampanjës ajrore të Aleancës Veriatlantike më 24 mars 1999, është ditë historike për Kosovën, për NATO-n por edhe për konceptin modern të lirisë dhe domosdoshmërisë së mbrojtjes së saj nga regjimet kriminale”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kryeministri Mustafa ka thënë se partneriteti strategjik dhe koordinimi në çdo hap i Kosovës me SHBA-në dhe miqtë euroatlantikë “janë formula e suksesit tonë të përbashkët në të ardhmen”.

XS
SM
MD
LG