Ndërlidhjet

NATO ndryshon datën e takimit të ministrave që Tillerson të mund të marrë pjesë


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

NATO ka konfrimuar se takimi i ministrave të jashtëm të në Bruksel është riplanifikuar që të mbahet më 31 mars.

Burime nga NATO, i kanë thënë gjithashtu Radios Evropa e Lirë se seanca e Këshillit NATO-Rusi, është planifikuar që të mbahet më 30 mars.

Takimi ministror i NATO-s është dashur që të mbahet më 5-6 prill. Sidoqoftë, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson njoftoi se nuk do të marrë pjesë në këtë samit në këtë datë por do të jetë i pranishëm vetëm nëse kjo mbledhje mbahet në një datë tjetër.

Vendimi i Tillersonit për të mos marrë pjesë në samitin e 5-6 prillit, rriti shqetësimet në mesin e zyrtarëve evropianë për përkushtimin e administratës së re amerikane ndaj aleancës, posaçërisht pasi Tillersoni njoftoi se do të vizitojë Moskën, pak kohë pas kësaj date.

Tillerson ka thënë se nuk mund të marrë pjesë në takimin ministror të NATO-s në prill, për shkak se ka planifikuar të marrë pjesë në takimin në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping, që do të mbahet në Florida.

Por pasi data e takimit është ndryshuar, Tillerson do të udhëtojë në Bruksel, një ditë pasi të jetë takuar në Ankara, me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërkaq, NATO po ashtu planifikon të mbajë një seancë të Këshillit NATO-Rusi, e cila do të jetë në nivel të ambasadorëve. Ky do të jetë takimi i parë i këtij Këshilli këtë vit, pasi vitin e kaluar ishin zhvilluar tri takime të ngjashme.

NATO ka pezulluar bashkëpunimin me Rusinë pasi Moska më 2014, aneksoi paligjshëm gadishullin ukrainas të Krimesë. Megjithatë, bisedat politike mes NATO-s dhe Rusisë, kanë mbetur të hapura përmes këtij Këshilli.

XS
SM
MD
LG