Ndërlidhjet

Zhbllokohen rrugët pas protestave, BE-ja kritikon Prishtinën


Bashkimi Evropian ka shprehur ‘keqardhjen për mosrealizimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, në frymën e dialogut të Brukselit dhe u ka bërë thirrje autoriteteve që t’iu mundësojnë pjesëmarrjen qytetarëve që duan të marrin pjesë në tubimet në Kosovë’, për zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Një zëdhënëse e përfaqësuses së lartë të BE-së për politikë ta jashtme, Maja Kocijançiq, tha se Brukseli ‘po i përcjellë me vëmendje zhvillimet në veriun e Kosovës për shkak të vizitës së zyrtarëve serbë për zgjedhjet presidenciale në Serbi’.

Përshëndesim vizitat e tilla që janë të caktuara në bazë të marrëveshjes në dialog”, tha Kocijançiq.

Kemi marrë njoftimet për bllokadën e rrugëve, që ndalon njerëzit të marrin pjesë në tubimet e tilla në veri sot”, tha ajo.

Kocijançiq tha se OSBE-ja duhet të ndërmjetësojë në mbledhjen e votave në Kosovë për zgjedhjet presidenciale në Serbi, bazuar në praktikat e mëhershme dhe në përputhje me marrveshjet në Bruksel.

Lidhur me bllokimin e rrugëve në Kosovë, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ky veprim është “bllokim i rrugëve të Kosovës në botë”.

Shumë rrugë magjistrale në Kosovë, sot ishin bllokuar nga dhjetëra protestues, të cilët po kundërshtonin fushatën zgjedhore të Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, këto rrugë raportohet se janë zhbllokuar, pasi që protestuesit kishin kuptuar se kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kishte anuluar vizitën e paralajmëruar.

“Shumica e rrugëve të bllokuara, tashmë janë liruar”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i policisë Baki Kelani.

Qytetarët që kishin dalë në rrugë, për të bllokuar qarkullimin e makinave, bartnin në duar parulla me porositë: “Na leni të qetë në vendin tonë”, Kosova është e të gjithëve” e të tjera.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, anuloi të martën vizitën e tij në Kosovë, vetëm pak orë pasi qeveria në Prishtinë i dha dritën jeshile për vizitë disa orëshe.

Vuçiq tha se nuk pranon “shantazhe nga Prishtina”.

"Nuk vjen në shprehje ky lloj presioni dhe cirku që ka bërë Prishtina", tha Vuçiq, transmeton agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Qeveria e Kosovës tha më herët se ka marrë vendim që t’i lejojë Vuçiqit të shkojë në Kosovë, në vizitën e paralajmëruar për fushatë zgjedhore.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se "pas kushteve të shumta të vëna nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe pas diskutimeve të fundit në lidhje me vizitën, është marrë vendimi për lejimin e tij (Vuçiqit) që të vijë në Kosovë".

"Kjo do të jetë edhe hera e fundit që lejohen të hyjnë zyrtarë serbë me qëllime të bërjes fushatë", tha Hoxhaj.

Zgjedhjet presidenciale në Serbi mbahen më 2 prill dhe Vuçiq është njëri nga kandidatët.

XS
SM
MD
LG