Ndërlidhjet

Hoyt Yee përcjell shqetësimet e Uashingtonit rreth transformimit të FSK-së


Hoyt Brian Yee në takim me ministrin, Haki Demolli
Hoyt Brian Yee në takim me ministrin, Haki Demolli

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka pritur në një takim zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike,Hoyt Brian Yee. Aty, diplomati amerikan, thuhet se ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit rreth paralajmërimeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, përmes ligjit.

Sipas një komunikate të lëshuar për media, ministri Demolli e ka falënderuar zyrtarin amerikan për ndihmën që SHBA-të po japin për FSK-në. Po ashtu, ai e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e dy shteteve dhe në veçanti Partneritetin e Bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Tutje thuhet se ministri Demolli e njoftoi diplomatin Yee edhe me bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar dhe me pjesëmarrjen e FSK-së në shumë trajnime me karakter rajonal.

Ministri i FSK-së e njoftoi diplomatin amerikan edhe për bashkëpunimin në procesin e planifikimit të transformimit të FSK-së, si edhe me ecurinë e zhvillimit të procedurave për projektligjin për zgjerimin e misionit të FSK-së.

Nga ana e tij, zëvendës ndihmësi i Sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Yee, sipas komunikatës përcolli mesazhin se Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK-së me ligj.

Në takim ka marrë pjesë edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Kurse diplomati Yee është shoqëruar aty nga atasheu ushtarak i SHBA-ve, në Prishtinë, kolonel Jeffrey H. Fisher dhe këshilltari ushtarak Joshua Rubin.

XS
SM
MD
LG