Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Protesta në Beograd, Novi Sad e Nish kundër rezultatit të zgjedhjeve


Protestat në Beograd kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale

Disa mijëra vetë, kryesisht të rinj, janë mbledhur të hënën në mbrëmje në një shëtitje protestuese në qendrën e Beogradit, në shenjë pakënaqësie me rezultatet e zgjedhjeve. Një ditë pas zgjedhjeve, protesta u organizuan edhe në Novi Sad dhe në Nish.

Qytetarët u mblodhën përmes mjeteve sociale, ku u dërgua porosia për tubim nën thirrjen “Protestë kundër diktaturës”.

Me brohoritjet “Vuçiq, hajn”, “Vjedhje” dhe “Vuçiq nuk të duam”, në Beograd protestuesit u mblodhën përpara ndërtesës së Kuvendit të Serbisë prej nga u nisën në shëtitje protestuese drejt Sheshit të Republikës, pastaj nëpër rrugët e qytetit pranë ndërtesës së “Politikës” dhe Radio Televizionit të Serbisë, ndërtesës së Qeverisë, të cilën disa individë e goditën me vezë dhe deri tek selia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u kthyer deri tek Kuvendi.

Në tubim nuk kishte shenja partiake, as edhe fjalime zyrtare kurse në faqen e Facebook-ut është shkruar se protesta nuk ka njerëz që e drejtojnë.

Përpara ndërtesës së Kuvendit ndodhi një incident i vogël kur një grup hodhi shishe dhe vezë mbi policinë që provoi t’i afrohet shkallëve. Policia nuk reagoi dhe qytetarët kërkuan “ta mbronte popullin”.

Disa qindra të rinj u mblodhën, njëkohësisht, edhe në sheshin qendror të Novi Sadit, të pakënaqur me, siç thanë, zgjedhjet e parregullta presidenciale dhe censurën mediale.

Ata e porositën elitën politike se nuk duan të ikin nga Serbia dhe do të bëjnë çdo gjë që në zgjedhjet e ardhshme pjesëmarrja e qytetarëve të jetë më e madhe.

XS
SM
MD
LG