Ndërlidhjet

Navalny bën thirrje për protesta të reja më 12 qershor


Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny u ka bërë thirrje “të gjithë patriotëve” në Rusi, që t’i bashkohen tubimeve kundër korrupsionit më 12 qershor.

Vetëm dy ditë pasi u lirua nga burgu, Navalny publikoi në ueb-faqen e tij, njoftimin për organizimin e protestave kundër korrupsionit më 12 qershor. Kjo datë shënon ditën kur Rusia shpalli sovranitetin brenda Bashkimit Sovjetik më 1990.

“Ajo çka po shoh është se patriotët dolën në rrugë më 26 mars dhe u përballën me tradhëtarët dhe hajdutët”, ka thënë Navalny në një video-mesazh.

“Më 12 qershor, në Ditën e Rusisë, u bëj thirrje patriotëve në vend, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike, të bashkohen në tubimet kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.

Protestat e 26 marsit, që u mbajtën në disa qytete në mbarë Rusinë, po konsiderohen si protestat më të mëdha anti-qeveritare që prej një serie të protesave të mbajtura më 2011-2012, të cilat Navalny ndihmoi të organizoheshin.

Policia, vetëm në Moskë arrestoi mbi 1 mijë persona.

XS
SM
MD
LG