Ndërlidhjet

Tillerson kërkon t’i jepet fund “degradimit” të lidhjeve SHBA-Rusi


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të tentojnë t’i japin fund “degradimit” të marrëdhënieve bilaterale dhe ka kritikuar aksionet “reciproke” që kanë dëmtuar bashkëpunimin mes dy shteteve.

Këto komente Tillerson i bëri në një konferecë të përbashkët për media, pas takimeve disa orëshe në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sekretari Tillerson tha se i ka thënë Putinit se marrdhëniet SHBA-Rusi janë “në nivel të ulët”.

Ne kemi diskutuar për raportet SHBA-Rusi. Unë kam shprehur qëndrimin se raportet e tashme SHBA-Rusi janë në nivel të ulët. Ka një nivel të ulët të besimit në mes të dy vendeve tona. Dy fuqitë më të mëdha botërore nuk mund të ketë kësi lloj raporti”, tha Tillerson.

Ndërkaq, Lavrov tha se nga raportet e mira Rusi-SHBA, do të përfitonte e gjithë bota.

Ne shohim se ka përpjekje për të penguar bashkëpunimin tonë. Ne e kosniderojmë këtë qasje si shkurtëpamëse, duke pasur parasysh se historia ka dëshmuar se kur Moska dhe Uashingtoni bashkëpunojnë, jo vetëm që kombet tona përfitojnë, por e gjithë bota përfiton”, tha Lavrov.

Tillerson ka biseduar me zyrtarët rusë për shumë çështje, përfshirë Sirinë, Ukrainën dhe Korenë Veriore.

Duke folur për Sirinë, Tillerson përsëriti qëndrimin se “sundimit të familjes së Assadit i ka ardhur fundi”.

Ai tha se SHBA beson se sulmi kimik i javës së kaluar është kryer nga forcat siriane, nën urdhërat e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Lavrov, vendi i të cilit mbështetë forcat e Assadit, në luftën gjashtëvjeçare në Siri, tha se për sulmin kimik, duhet të bëhet një hetim i sinqertë.

Vizita e Tillersonit në Moskë, vjen në kohën e tensionimit të raporteve, pas sulmit kimik të javës së kaluar në Siri, ku u vranë mbi 80 persona.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duke folur për rrjetin Fox Business tha se duke mbështetur Assadin, Putini po i ndihmon “një njeriu vërtetë të ligë dhe unë besoj se kjo është e keqe për Rusinë”.
SHBA më 7 prill sulmoi një bazë ajrore siriane, në përgjigje të sulmit kimik. Siria dhe Rusia thonë se avionët sirianë kanë goditur një depo me armë kimike.(REL)

XS
SM
MD
LG