Ndërlidhjet

Kryeministri i Pakistanit mbetet në detyrë, përkundër akuzave për korrupsion


Kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif.

Gjykata Supreme në Pakistan urdhëroi hetime të mëtejshme të akuzave për korrupsion kundër kryeministrit Navaz Sharif, por tha se ai mund të mbetet në detyrë tash për tash.

Nën masa të rrepta të sigurisë, paneli gjyqësor prej pesë anëtarësh vendosi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të urdhëruar largimin e Sharifit nga zyra dhe urdhëroi krijimin e një ekipi të përbashkët hetues.

Gjykata në Islamabad ka nisur vitin e kaluar hetimet për pasurinë e familjes së Sharifit jashtë shtetit, pasi fëmijët e tij kanë qenë të lidhur me disa llogari që kanë rrjedhur nga të ashtuquajturat Letra të Panamasë.

Kritikët e Sharifit kanë thënë se kompanitë jashtë shtetit janë përdorur për të shpëlarë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme ose për të shmangur taksat.

Politikanët opozitarë kanë kërcënuar se do të nisin protesta në rrugë nëse akuzat nuk hetohen.

Sharif dhe familja e tij kanë mohuar çdo keqbërje.

XS
SM
MD
LG