Ndërlidhjet

Mustafa bisedë telefonike për demarkacionin me Hoyt Yee


Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee.

Në një komunikatë për media, thuhet se temë diskutimi kanë qenë çështjet aktuale në Kosovë, përfshi ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Hoyt Yee, kanë biseduar edhe për procesin e ratifikimit nga Kuvendi i Kosovës të Marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejtë, si konfirmim i rrugës evropiane të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Hoyt Yee ka biseduar gjatë ditës edhe me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ky i fundit, kishte komunikuar edhe qëndrimin e zyrtarit amerikan që demarkacioni të vihet në Kuvend për ratifikim javën e ardhshme.

Megjithatë, në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, nuk konfirmohet koha se kur do të procedohet për ratifikim demarkacioni, si kusht që i është vënë Kosovës nga Komisioni Evropian, për liberalizimin e vizave.

XS
SM
MD
LG