Ndërlidhjet

SHBA: Komiteti i Inteligjecës e vazhdon hetimin për ndërhyrjen ruse


Pamje nga një dëgjim i mëparshëm në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, ku merrnin pjesë James Comey (majtas) dhe Mike Rogers

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara pritet që ta vazhdoj hetimin lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, pasi ky hetim ishte ndërprerë për shkak të tërheqjes së kryesuesit të komitetit, Devin Nunes.

Ky komitet ka shpallur mbrëmë se ka dërguar letra me të cilat kërkohet paraqitje me dyer të mbyllura të drejtorit të agjencisë FBI, James Comey, dhe të shefit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Mike Rogers, më 25 të këtij muaji.

Komiteti, po ashtu, planifikon dëgjimin e ish-drejtorit të CIA-s, John Brennan, ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, dhe ish-zëvendësprokuroren e përgjithshme, Sally Yates.

Këto do të jenë dëgjimet e para prej se zotit Nunes është tërhequr më 6 prill, për shkak të akuzave se në mënyrë jopërkatëse kishte marrë informacione për vëzhgimin e dyshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Nunes, po ashtu, ishte kritikuar nga demokratët, pasi ai kishte pasur rol në ekipin tranzitor të presidentit, Donald Trump.

Rusia i ka hedhur poshtë pohimet për përzierje në zgjedhjet amerikane, por agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara në muajin janar, e kanë publikuar një raport ku shprehej “besim i lartë” se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kishte urdhëruar “fushatë të ndikimit” për ta dëmtuar kandidaten demokrate, Hillary Clinton.

XS
SM
MD
LG