Ndërlidhjet

Tiranë: Opozita bllokon për një orë akset rrugore kombëtare


Opozita shqiptare bllokon rrugët

Në Shqipëri, opozita bllokoi sot për 60 minuta pesë akse rrugore kombëtare, nga ora 11.00 deri në mesditë, si pjesë e protestës së saj e cila vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie teknike e cila sipas saj do të duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Mbështetës të opozitës ju bashkuan asaj në bllokimin e dy akseve kryesore rrugore në jug të vendit, në zonën e Fierit, dhe në Veri, në zonën e Milotit, si dhe tre hyrjeve kryesore në kryeqytet. Në njërën prej tyre, me protestuesit u bashkua edhe kryetari demokrat Lulzim Basha.

Policia shqiptare nuk kishte dhënë leje për bllokimin e rrugëve duke paralajmëruar ndëshkimin e organizatorëve dhe pjesmarrësve. Megjithatë ajo nuk ndërhyri, duke ndjekur në distancë protestuesit. Gjithshka u zhvillua paqësisht dhe pa asnjë incident.

“Shqiptarët u bashkuan sot në këtë akt demokratik, i cili dëshmon vendosmërinë tonë për të mos ja dorëzuar Shqipërinë krimit dhe drogës, por për të qenë të bashkuar për zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri teknike”, deklaroi në përfundim të protestës zoti Basha duke shtuar se “ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore dhe këtij bashkimi është e pathyeshme”.

Forma e sotme e protestës paraprin mbërritjen e pritur pasdite në Tiranë të një misioni të parlamentit europian, i përbërë nga Davdi McAllister, kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme, dhe relatori për Shqipërinë Knut Fleckenstein.

Të dy eurodeputetët do të tentojnë ndërmjetësimin e një zgjidhjeje të krizës politikës. Opozita ka bojkotuar parlamentin, duke bllokuar për pasojë dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa nuk është rregistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Afati ka kaluar që prej 10 prillit.

*Ky material fillimisht u publikua në VOA shqip.

XS
SM
MD
LG