Ndërlidhjet

Danimarkë: Rusia ka kryer sulme kibernetike


Ilustrim

Ministria e mbrojtjes e Danimarkës e ka kritikuar Moskën për sjellje “agresive”, pas raportit në të cilin janë akuzuar hakerët rusë për depërtim në emailat e Ministrisë së mbrojtjes së Danimarkës.

“Kjo është pjesë e luftës së vazhdueshme nga pala ruse në këtë fushë, ku ne po shohim një Rusi shumë agresive”, tha ministri i mbrojtjes, Claus Hjort Fredriksen, për mediat daneze.

Në një raport të publikuar dje nga Qendra daneze për siguri kibernetike, një grup i hakerëve pro-Kremlinit është akuzuar për depërtim në emailat e punonjësve të Ministrisë së mbrojtjes në vitet 2015 dhe 2016.

Në raport grupi i hakerëve identifikohet me emrin APT28, po ashtu i njohur edhe si Pawn Storm, Sofacy dhe Fancy Bear.

Ky grup ka lidhje me qeverinë e Rusisë dhe shërbimet e sigurisë dhe më parë ishte përmendur edhe nga agjencia amerikane, FBI, dhe Departamenti i sigurisë së brendshme amerikane, se ka dorë në “aktivitetin e dëmshëm kibernetik” kundër institucioneve qeveritare të Shteteve të Bashkuara.

Ky raport në Danimarkë u publikua në kohën kur disa qeveri perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania, e kanë akuzuar Rusinë se ka përdorë hakerizëm për të ndikuar në zgjedhje.

Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.

XS
SM
MD
LG