Ndërlidhjet

Thaçi: Projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagandës së Serbisë


Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar sot ndaj deklaratës së komisionarit për negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, duke thënë se ai “i prekur nga shqetësimet e Serbisë, paska shprehur zhgënjimin e tij për deklaratat që gjoja përfshijnë tendencat për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

Mëtutje, në një postim në rrjetin Facebook, zoti Thaçi ka theksuar se fjalët e zotit Hahn se BE-së nuk mund t’i bëhet presion me deklarata të tilla, “fatkeqësisht e dëshmojnë atë që e kam thënë shumë herë deri tash se BE-ja ka mungesë të lidershipit dhe vizionit për konkretizim të perspektivës evropiane për Kosovën”.

Zoti Thaçi konsideron se kjo qasje dëshmon se BE-së, “në rastin më të mirë, nuk i bëhet kurrë vonë për Kosovën”.

“Diskriminimi dhe izolimi i qytetarëve tanë sot, flet shumë më tepër se deklaratat monotone të disa zyrtarëve të BE-së, që përsëriten që nga viti 2000”, ka shkruar Thaçi.

Mëtutje, presidenti i Kosovës ka vlerësuar se “projekti i Shqipërisë së Madhe është produkt i propagadnës së Serbisë për ta realizuar projektin e Serbisë së Madhe, i cili tashmë funksionon nën hundën e BE-së” dhe ka konstatuar se “nuk ka Shqipëri të Madhe apo të vogël, por ka vetëm Shqipëri dhe vetëm Kosovë”.

Në fund të shkrimit të tij në Facebook, zoti Thaçi thotë se “do të ishte mirë që edhe BE-ja ta pranojë këtë realitet dhe të filloj ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.

XS
SM
MD
LG