Ndërlidhjet

Fushata e Macron thotë se është sulmuar nga hakerët e lidhur me Rusinë


Emmanuel Macron

Fushata e kandidatit për president të Francës, Emmanuel Macron u ka thënë mediave se kanë qenë cak i një sulmi nga hakerët që kanë lidhje me Rusinë.

Përpjekja për të hyrë në të dhënat e fushatës, sipas shefit të fushatës së Macron, Mounir Mhajoubi ka ndodhur në muajin dhjetor.

Ai konfirmoi një raport të firmës për sigurisë kibernetike, Trend Micro, që ka listuar 160 përpjekje për spiunazh elektronik nga një grup hakerësh të quajtur “Pawn Storm”, për të cilin, agjencitë e inteligjencës amerikane, kanë thënë se është krah i aparatit rus të inteligjencës.

Është serioze por asgjë nuk është kompromentuar”, tha Mahjoubi për agjencinë AP.

Fushata më herët është ankuar se ka qenë në shënjestër të operacioneve të spiunimit elektronik, duke lënë të kuptohet se origjina e tyre është në Rusi, por në atë kohë kanë ofruar pak prova për të mbështetur këto pretendime.

Kompania Trend Micro ka thënë se hakerët kanë krijuar një faqe të rreme të internetit, me qëllim që të vjedhin fjalëkalimet e stafit të fushatës së Macron.

Zgjedhjet presidenciale në Francë po vëzhgohen nga afër për shkak të shenjave tëndërhyrjes dixhitale, pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane e kanë akuzuar Rusinë se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane më 2016.

Grupi i hakerëve “Pawn Storm”, shpesh është lidhur me sulme kibernetike të nivelit të lartë në Perëndim. Trend Micro ka thënë se ky grup ka vjedhur të dhëna të ekipit të fushatës dhe të anëtarëve të lëvizjes së Macro, raporton AFP.

Akuzat se Moska qëndron prapa sulmeve kiberentike në Francë, janë mohuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Këto akuza i ngjajnë atyre të bëra nga Uashingtoni, të cilat deri më sot janë të pabaza dhe nuk i bëjnë nderë njerëzve që bëjnë akuza të tilla”, ka thënë Peskov.

Macron, kandidat pro-evropian, kritik i qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin, ka fituar më së shumti vota në raundin e parë të zgjedhjeve, që u mbajtëm më 23 prill.

Ai në raundin e balotazhit, që do të mbahet më 7 maj, do të përballet me kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila përkrah raprotet më të mira me Rusinë. Ajo gjatë fushatës zgjedhore ka vizituar Rusinë, ku është takuar me presidetin rus, Vladimir Putin. (REL)

XS
SM
MD
LG