Ndërlidhjet

Luftëtarët e mbështetur nga SHBA-ja avancojnë kundër IS-it në Siri


Diga në qytetin Tabqa
Diga në qytetin Tabqa

Forcat kurde-arabe të mbështetura nga SHBA-ja kanë shënuar një përparim ndaj militantëve të Shtetit Islamik në qytetin Tabqa në afërsi të bazës së ekstremistëve në Raqqa në Sirinë veriore, ka bërë me dije një grup i vëzhguesve.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Britani të Madhe, tha të dielën, se aleanca kurdo-arabe e njohur si Forca Demokratike Siriane, tani kontrollon më shyumë se 70 për qind të Tabqa-s.

“Qyteti i vjetër është rimarrë përgjithësisht dhe ka luftime të ashpra në hyrje të qytetit të ri”, tha drejtori i Observatorit Rami Abdel Rahman.

Grupi vëzhgues ka njoftuar se përleshjet e forta ndërmjet luftëtarëve të IS-it dhe të Forcave Demokratike Siriane janë përkrahur nga ajri nga SHBA-ja.

Forcat Demokratike Siriane kanë treguar fotografitë e armëve, raketave, municionit dhe të një flamuri të IS-it dhe thanë se ato janë gjetur në Tabqa.

Trupat e Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga ajri e toka, nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, rrethuan Tabqa-n, që ndodhet në lumin Eufrat afër një dige dhe aeroportit ushtarak rreth 55 kilometra larg Raqqa-s, kryeqytetit të vetëshpallur të IS-it në Siri.

Qyteti ka rreth 85 mijë banorë.

Luftëtarët e IS-it që pushtuan pjesë të mëdha të territorit në Siri e Irak në vitin 2014, janë detyruar të zmbrapsen në fronte të ndryshme, përfshirë edhe Sirinë veriore.

Gjatë luftës në Siri u vranë më shumë se 300 mijë njerëz, që prej shpërthimit të konfliktit në mars të vitit 2011 me demonstratat anti qeveritare.

SHBA-ja dhe Turqia mbështesin rebelët që po luftojnë qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad, ndërkohë që Rusia dhe Irani mbështesin Assadin.

Luftëtarët e IS-it, që kundërshtohen nga të dyja palët, hynë më vonë në konflikt.

XS
SM
MD
LG