Ndërlidhjet

IS merr përgjegjësinë për sulmin në Kabul


Kabul, Afganistan, 3 maj 2017

Një shpërthim i fuqishëm ka goditur automjetet e NATO-s në Kabul, duke vrarë të paktën 8 persona dhe plagosur 28 të tjerë, përfshirë tre ushtarë të koalicionit kanë thënë zyrtarët.

Grupi militant Shteti Islamik, përmes agjencisë së lajmeve Aamaq, ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Sulmi ndodhi në afërsi të ambasadës së SHBA-së dhe selisë së NATO-s, ka njoftuar zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane.

Fatkeqësisht, shumica e viktimave janë civilë”, ka thënë zëdhënësi i kësaj ministrie, Najib Danish.

NATO ka thënë se tre ushtarë të koalicionit, janë plagosur.

Ata janë në gjendje stabile dhe janë duke u trajtuar në ndërtesën mjekësore të koalicionit”, ka thënë një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan, duke moskonfirmuar kombësinë e ushtarëve të plagosur.

Zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Kapiteni Bill Salvin, më herët ka thënë se tre shërbyes amerikanë janë lënduar në sulm.

Shpërthimi, i cili sipas NATO-s është shkaktuar nga një mjet shpërthyes i improvizuar, ka dëmtuar dy makina të blinduara, që bartnin ushtarë të huaj.

Këto makina janë të dizajnuara që t’i bëjnë ballë shpërthimeve të mëdha dhe shpesh përdoren nga forcat ndërkombëtare për të lëvizur në Kabul.

Megjithatë, në deklaratën e IS-it thuhet se një sulmues vetëvrasës ka shpërthyer ekplozivët e vendosur në veturë, në kohën kur konvoji ushtarak ka kaluar pranë zonës në afërsi të ambasadës amerikane.

Grupet lokale që mbështesin IS-in janë forcuar në vitet e fundit dhe tash janë në luftë edhe me qeverinë që mbështetet nga SHBA-ja dhe me kryengritësit talibanë.

Sulmi i 3 majit vjen vetëm disa ditë pas kërcënimit të bërë nga talibanët se do të sulmojnë forcat e huaja në ofensivën e tyre pranverore, të cilën e kanë nisur javën e kaluar.

Ofensiva pranverore normalisht shënon “sezonën e luftimeve”, edhe pse këtë dimër, militantët talibanë kanë luftuar vazhdimisht me forcat qevetritare.

Që prej fillimit të vitit, të paktën pesë sulme të mëdha janë kryer në kryeqytetin afgan, duke vrarë dhe plagosur qindra civilë.

Shefi i Pentagonit, Jim Mattis ka paralajmëruar “për një vit tjetër të vështirë” edhe për forcat e huaja si dhe ato lokale në Afganistan. Ai këto komente i bëri muajin e kaluar, në vizitinë e tij në Afganistan.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 20 prill, i pati thënë një gazete gjermane se 28 shtetet e aleancës janë duke e konsideruar mundësinë për të rritur fuqinë e trupave të tyre, për shkak të “sfidave” të paraqitura në situatën e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara kanë rreth 8,400 trupa në Afganistan, ndërkaq aleatët e NATO-s kanë rreth 5,000 trupa të tjerë.

Shumica e këtyre trupave marrin pjesë në misionin e NATO-s për trajnim, asistim dhe këshillim, ndonëse disa prej tyre marrin pjesë në misionet anti-terror kundër IS-it dhe Al-Kaidës.

Konflikti afgan, është më i gjati në hisotrinë e SHBA-së. Trupat e NATO-s që udhëhiqen nga SHBA-ja, kanë qenë në luftë në këtë vend që prej vitit 2001, duke rrëzuar nga pushteti regjimin afgan pasi Osama bin Laden refuzoi të dorëzohej, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA. (REL)

XS
SM
MD
LG