Ndërlidhjet

Trump dhe Putin biseduan për Sirinë dhe Korenë e Veriut


Donald Trump dhe Vladimir Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë folur në telefon për herën e tretë, që prej se Trump u zgjodh presidnet.

Biseda e zhvilluar më 2 maj ishte para ndërmjet dy liderëve që prej se SHBA kreu sulmin me raketa ndaj një baze ajrore siriane, në përgjigje të sulmit kimik ndaj civilëve të kryer nga forcat e qeverisë siriane.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, kjo bisedë është përshkruar si “bisedë e mirë”, ku dy liderët kanë biseduar për luftën në Siri, për “punën e përbashkët për të zhdukur terrorizmin në Lindjen e Mesme” dhe “për të zgjidhur më së miri situatën shumë të rrezishme në Korenë e Veriut”.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka njoftuar se Uashingtoni do të dërgojë përfaqësues në bisedimet e paqes për Sirisë, që do të mbahen më 3 dhe 4 maj në Astana të Kazakistanit.

Ndërkaq Kremlini ka thënë se dy liderët kanë koordinuar veprimet e të dyja shteteve në luftën kundër terrorizmit.

Moska ka thënë po ashtu se Trump dhe Putin janë pajtuar për të rritur dialogun në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për luftën në Siri.

Kremlini ka thënë se dy liderët kanë shprehur mbështetjen e tyre për idenë e organizimit të një takimi kokë më kokë, në margjinat e samitit të G20-ës, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg të Gjermanisë.

Në çështjen e Koresë së Veriut, Kremlini ka thënë se Putini i ka bërë thirrje Trumpit të tregojë përmbajtje dhe të bëjë përpjekje për të ulur tensionet.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pas programit bërthamor dhe testeve të raketave balistike të Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG