Ndërlidhjet

Midis SHBA-së dhe Rusisë “nuk ka pothuajse fare besim”


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se, tash për tash, “nuk ka pothuajse fare besim” midis SHBA-së dhe Rusisë.

Tillerson i përmendi marrëveshjet për kontrollin e armëve dhe Ukrainën si zona ku, siç tha, Moska “nuk është e dobishme sot”.

Ai i bëri këto komente për stafin në Departamentin e Shtetit në Uashington, derisa prezantoi të ardhmen e këtij institucioni nën presidentin Donald Trump dhe përballë reduktimeve të mundshme të buxhetit të tij.

“Po bëjmë disa përpjekje për të stabilizuar fillimisht marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë. Ushtruesi i detyrës së zëvendëssekretarit të Shtetit, Thomas Shannon, është duke udhëhequr përpjekjet e një grupi punues, për të parë nëse mund t’i adresojmë disa gjëra që irritojnë marrëdhëniet, që na e bëjnë të vështirë të bisedojmë me njëri-tjetrin”, tha Tillerson.

Ai tha se planifikon të diskutojë për bashkëpunim në zgjidhjen e konfliktit në Siri me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në margjina të një mbledhjeje të Këshillit Arktik në Alaskë, më 10-11 maj.

Tillerson po ashtu tha se SHBA është duke përgatitur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut në përgjigje të programit të vazhdueshëm bërthamor të Phenjanit.

XS
SM
MD
LG