Ndërlidhjet

Lideri opozitar rus Navalny pajiset me pasaportë


Aleksei Navalny
Aleksei Navalny

Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny është pajisur me pasaportë dhe thotë se shpreson se do të mund të udhëtojë jashtë vendit për shërim, pas një sulmi, ku ka marrë dëmtime në njërin sy.

Por avokatët e tij i kanë thënë se zyrtarët rusë e kanë paralajmëruar Navalnyn që të mos largohet nga vendi.

Navalny ka shkruar në uebfaqen e tij se Shërbimi Federal për Migracion, e ka njoftuar atë se ai mund ta marrë pasaportën e tij.

Navalny ka thënë se për pesë vjet nuk ka mundur të pajiset me pasaportë. Tash, ai thotë se mund të shkojë për shërim jashtë vendit, pasi një sulmues i hodhi në fytyrë një ngjyrë të gjelbër, që njihet me emrin “zelyonka”.

Sipas liderit opozitar, testet e fundit mjekësore tregojnë se ka humbur 85 për qind të shikimit në zyrin e djathtë. Ai ka shprehur shpresë se shikimi mund t’i rikthehet.

Navalny ka paralajmëruar se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ku presidenti aktual rus, Vladimir Putin, pritet që të kërkojë edhe një mandat 6-vjeçar.

Zyrtarët rusë kanë lënë të kuptohet se Navalnyt mund t’i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje, për shkak se ai është dënuar për krime financiare. Megjithatë, Navalny mohon çdo keqbërje, duke thënë se gjykimet ndaj tij janë të orkestruara nga Kremlini.

XS
SM
MD
LG