Ndërlidhjet

Rusia shënon Ditën e Fitores, Putin dërgon porosi për perëndimin


Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur nga Sheshi i Kuq në Moskë - 9 maj 2017.
Presidenti rus, Vladimir Putin, duke folur nga Sheshi i Kuq në Moskë - 9 maj 2017.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shfrytëzoi një fjalim në një paradë ushtarake, në përkujtim të fitores së aleatëve mbi Gjermaninë Naziste, të bëjë trysni mbi vendet perëndimore që të rreshtohen përkrah qasjes së Moskës në luftimin e terrorizmit ndërkombëtar, duke thënë se ishte përçarja që i mundësoi forcave të Adolf Hitlerit të tërbohen gjithandej Evropës dhe të kërcënojnë planetin.

Duke folur në paradën në Sheshin e Kuq, më 9 Maj, ditë kjo të cilën Rusia e kremton me pompozitet të madh si një Ditë të Fitores, Putin tha se Bashkimi Sovjetik meriton mirënjohjen më të madhe për mundjen e Nazistëve në vitin 1945 dhe se pasiguria në botë sot kërkon që Rusia të forcojë ushtrinë e saj.

Tragjedia monstruoze” e Luftës së Dytë Botërore nuk u parandalua “para së gjithash për shkak se ideologjia kriminale e superioritetit racor u mundësua të bëhet, për shkak të mos unitetit në vendet udhëheqëse të botës”, tha Putin në fjalën e tij, që u transmetua drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.

Gjermania Naziste “bëri goditjet më të forta mbi Bashkimin Sovjetik…por nuk kishte, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë një forcë që do ta nënshtrojë popullin tonë”.

“Nuk do ta harrojmë kurrë se saktësisht ishin baballarët tanë, gjyshërit dhe stërgjyshërit të cilët arritën të sjellin lirinë në Evropë dhe paqen e shumëpritur në planet”, tha ai, duke përmendur pak ose aspak kontributin e SHBA-së, Britanisë dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë në fitoren ndaj Gjermanisë.

“Jeta kërkon që forcat tona të armatosura të forcohen edhe më shumë që të jetë të afta të luftojnë kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe neo-nazizmit”, tha Putin. “Forcat e Armatosura të Federatës Ruse janë të afta të përballen me çdo lloj sfide – por për ta luftuar terrorizmin, është i nevojshëm konsolidimi i gjithë bashkësisë ndërkombëtare".

Putin, që gjendet në pushtet si kryeministër ose president që prej vitit 1999, i ka akuzuar shumë shpesh SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore për zbatimin e standardeve të dyfishta në përpjekjet e tyre që të luftojnë terrorizmin dhe madje në disa raste edhe për, siç është thënë, përzierje me militantët me qëllim që të dobësojnë Rusinë. Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera i kanë kundërshtuar me forcë këto akuza.

Parada në Sheshin e Kuq, me trupat që marshuan dhe me paraqitjen e armatimit të rëndë në hapësirën me kalldrëm jashtë Kremlinit, ishte thelbi i festimeve masive të organizuara nga shteti në mbarë vendin. Avionët luftarakë nuk fluturuan mbi Moskë, për shkak të shqetësimeve rreth motit të lagësht, që vazhdoi përkundër përpjekjeve të kushtueshme për të shpërndarë retë.

Rreth 27 milionë ushtarë sovjetik dhe qytetarë janë vrarë në Luftën e Dytë Botërore dhe disfata e nazistëve në vitin 1945 shihet me krenari të madhe nga miliona vetë në Rusi, ku pak familje kanë mbetur të paprekura nga lufta.

Tradicionalisht Putini shfrytëzon adresimin e tij në paradën e Ditës së Fitores, për të të bërë thirrje për unitet brenda Rusisë dhe për bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar kundër terrorizmit, shpeshherë në mënyrë implicite ose të tërthortë për të kritikuar perëndimin.

Kritikët e Kremlinit thonë se qeveria e Putinit përdor festimet që të ushqejë patriotizmin dhe të dërgojë sinjale gjeopolitike por pak i kushton vëmendje nevojave të veteranëve të moshuar.

XS
SM
MD
LG